Ngjarje

Pesë ditë pa ujë, vlonjatët protestojnë para bashkisë, u premtohet se problemi zgjidhet sonte

Nga Gazeta Si- Prej 4 ditësh, në Vlorë mungon uji për shkak të një defekti në ujësjellës çka sjellë dhe protesta e indinjata nga qytetarët. Sipas drejtorit të Përgjithshëm i AKUV, Faluers Shoshi i cili është takuar sot me protestuesit në Vlorë, furnizimi me ujë do të rinisë në orën 12:00 të mbrëmjes së sotme.

“Pajisjet janë duke ardhur dhe sonte në mesnatë do të rikthehet furnizimi më ujë. Kjo është fjala ime”, tha Shoshi.

Pasi mbushën ujë në det, banorët janë drejtuar në orët e para të ditës së sotme drejt burimit nëntokësor, i cili ndodhet pranë tunelit të Ujit të Ftohtë, por dhe një depoje të ujësjellësit që ndodhet në këtë zonë.

Gjithashtu, në sheshin përpara bashkisë janë mbledhur qytetarët, të cilët u përplasen me policinë duke tentuar të futen në ambientet e brendshme të bashkisë.

Në drejtim të efektivëve të policisë, qytetarët kanë hedhur letra higjienike ndërsa me bidonë në duar kërkojnë prezencën e kryetares së bashkisë, Brunilda Mersini.

Nga ana tjetër Kryebashkiakja e Vlorës Brunilda Mersini foli për mediat duke thënë se problemi tashmë është drejt zgjidhjes.

Mersini u shpreh se deri në ardhjen e pjesës së nevojshme, për rikuperimin final të dëmit, është gjetur një zgjidhje provizore ndërsa në qytet operojnë mbi 15 bote uji, ku përparësi për furnizim u është dhënë institucioneve.

Ajo tha se protesta drejtohet nga anëtarët demokratë të Këshillit Bashkiak dhe se nuk është momenti për të bërë opozitë me një fatkeqësi.

Sipas saj, sot vijnë me avion nga Turqia 3 pjesë që duhen për riparimin e rrjetit.

“Kjo është një fatkeqësi natyrore, nuk duhet përdorur për të bërë politikë. Nuk është momenti të bëjmë analiza dhe të gjejmë fajtorin, është momenti të japim zgjidhjen. Dhe zgjidhja është duke ardhur nga Turqia: në orën 02:30 zbret avioni me tre pjesë rezervë, të cilat në orën 17:00 mbërrijnë në Vlorë”, tha Brunilda Mersini.

Qytetarët janë shprehur të indinjuar për situatën e krijuar dhe kanë fajësuar institucionet e Vlorës për mungesën e zgjidhjes.

Një ditë më parë, të irrituar nga mungesa e ujit të pijshëm, disa qytetarë kanë hyrë me forcë në ambientet e Teatrit “Petro Marko”, aty ku po zhvillohej mbrëmja gala, festa e fundvitit për qytetarët e Vlorës ku në duar mbanin pankarta “S’ka gala pa u la”.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë