Të shtunën në orën 15:30 zhvillohen ndeshjet e raundit të 35, i dyti që luhet në të njëjtën ditë dhe në të njëjtën orë në këtë fund sezoni në Kategorinë Superiore. Fati i “Final4” dhe mbijetesa janë ende në lojë dhe për të parin vendos shumë Vllaznia. Për të dytën, skuadrat kanë gjithçka në duart e tyre. AF Elbasani pret kuqeblutë në shtëpi me objektiv të vetëm fitoren që do ta mbante në kontakt me Partizanin (me të cilin ndeshet në javën e fundit).

Të kuqtë kryeqytetas (ende në vendin e 4) kanë një transfertë delikate në Ballsh ku vendasit luajnë për qëndrim mes më të mirëve dhe do të japin maksimumin për 3 pikët që do i mbanin në lojë edhe raundin e fundit. Ndërsa Partizani shpreson edhe në “ndihmën” e Vllaznisë në “Elbasan Arena”. Tirana (36 pikë, vendi i 8) pret Teutën (38 pikë, vendi i 6). Matematika mban çdo gjë të hapur dhe si bardheblutë ashtu dhe djemtë e detit, duan të sigurojnë sa më shpejt mbijetesën.

Egnatia (58 pikë, vendi i 1) dhe Dinamo City (55 pikë, vendi i 2) kanë në dorë fatin e Skënderbeut në “Arena Egnatia” dhe Laçit në stadiumin me të njëjtin emër. Korçarët që kanë 4 pikë më shumë se bardhezinjtë, janë më të qetë pasi edhe kalendari rezervon Bylis javën e fundit në shtëpi. Por një pikë në Rrogozhinë do të qetësonte akoma më shpejt “ujqërit e dëborës”. Ndërsa skuadra e Moriero’s tani ka nevojë për mrekullinë që të luajë sërish mes më të mirëve në sezonin e ardhshëm.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.