Futboll

Kategoria Superiore, hidhet shorti për ‘Final4’

Skuadrat më të mira që u renditën në 4 vendet e para, mësuan sot se si do të luajnë në “Final4”. Shorti u hodh në shtëpinë e futbollit në praninë e Presidentit të FSHF, Armand Duka dhe drejtuesve të skuadrave të kualifikuara. Nga vazot e përcaktuara prej klasifikimit në sezonin e rregullt (Egnatia dhe Vllaznia në të parën ndërsa Dinamo City dhe Partizani në të dytën) shorti përcaktoi çiftet Egnatia – Partizani dhe Vllaznia – Dinamo City.

Gjysmëfinalja e parë, ajo mes Vllaznisë dhe Dinamo City-t, do të luhet në orën 20:00 të dielën e 4 Majit. Ndërsa e dyta, Egnatia – Partizani do të zhvillohet një ditë më pas në të njëjtën orë. Kalimi në finale përcaktohet në 90 minuta. Në rast barazimi në gjysmëfinale, kualifikohet ekipi i renditur në vendin e pare ose të dytë, dmth Egnatia dhe Vllaznia. Ndeshjet e “Final 4” do të luhen në stadiumin “Arena Kombëtare” dhe Finalja e madhe do të arbitrohet nga polaku Szymon Marciniak.

Në përfundim të shortit, Skënder Gega (trainer i Partizanit) tha për mediat: E pashmangshme, besoj “Final 4” duhet ta shijojmë, klubi ka ardhur në pikësynimet e veta. Do gëzojmë në çdo mënyrë, edhe të ishte me Vllazninë dhe Dinamon. Deri me datë 5 kemi ditë ekstra për të punuar. Të bëjmë më të mirën, në fund të fitojë futbolli. Egnatia është skuadra më e fortë, por në “Final 4” tjetër qasje. Ardhja në “Final 4” na ka dhënë qetësi, por dhe besim. Është në “Arena Kombëtare” me mbështetjen e tifozëve, nuk ka shumë gjëra për të thënë.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë