Ende pa u shuar atmosfera e fitores së kuqezinjvë ndaj Andorrës, futbolli vendas zbret në fushë. 6 javët e fundit në Kategorinë Superiore do të përcaktojnë pjesën dërrmuese të verdikteve sezonalë. Kur duket se “BIG4” është përcaktuar, brenda tij ka ende “verdikte” që lidhen me klasifikimin dhe favorin e faktorit fushë në “Final4”. Raundi i 31 do të fillojë të mërkurën me Laçi-AF Elbasani në orën 15:00, një sfidë që luhet për ti shpëtuar fundit të ftohtë.

Vendasit janë vetëm 3 pikë larg, por atje mund të përfundojnë edhe miqtë nëse lënë pikë në transfertë. Në orën 18:00 Tirana pret Bylis në “Arenën Kombëtare”. 90’ të gjitha për mbijetesë mes rivalësh që ndahen nga vetëm 1 pikë. 4 skuadrat e para do të luajnë të enjten dhe gjithçka fillon me derbin mes Dinamo City-t dhe Partizanit që do të luajnë në “Elbasan Arena”.

7 pikë mes tyre në një sezon ku blutë duken më të kolauduar se të kuqtë. Paralelisht në orën 17:00, Teuta pret Skënderbeun në “Niko Dovana”. 30 pikë për secilën skuadër por korçarët kanë pësuar 5 gola më pak. Siparin e ul çifti Egnati-Vllaznia nën dritat e “Arena Egnatia” në Rrogozhinë. Pothuajse të sigurtë në “Final4” vendas dhe miq do provojnë të evitojnë humbjen e dytë në 6 të fundit.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.