Qeveria shqiptare ende nuk është e bindur për të lejuar zhvillimin e aktiviteteve të sportit, kryesisht të futbollit, që pret të mbyllë fazën finale të tij dhe të përcaktojë verdiktet për sezonin e ri. Pjesa dërrmuese e specialistëve të futbollit kërkojnë që të hidhet të paktën hapi i parë, të rinisë stërvitja. Këtë pret edhe FSHF-ja, por autoritetet qeveritare kërkojnë ende kohë.
Gjatë kësaj kohe është folur edhe për hipotezën e mbylljes së parakohshme të kampionatit dhe marrjen në konsideratë të renditjes aktuale për çdo kategori, apo ndryshe për të ashtuquajturin “skenari francez”. Që do të thotë shpallje e ekipit kampion të Superiores, përcaktim i skuadrave që shkojnë në Europë dhe atyre që bien nga kategoria. E njëjta gjë vlen edhe për kategoritë e tjera, sipas rregullores së përcaktuar në fillim të kampionatit, ndërkohë që ka mbetur edhe një fazë pa u zhvilluar.
Partizani, një nga ekipet që dëmtohet nga ky skenar, nuk ka mbajtur qëndrim ende, më shumë e kanë ngritur zërin skuadrat e Kategorisë së Parë që me “skenarin” francez e shohin veten në Kategorinë e Dytë. Dinamo, Turbina dhe Elbasani janë skuadrat që dëmtohen direkt nga ky variant, por edhe Besëlidhja, Apolonia e Lushnja, pretendente për elitën, preken. Të gjitha këto klube e kundërshtojnë atë që presidenti i FSHF-së, Duka, tha pak ditë më parë: “Mund të bëjmë si Franca”.
“Ajo që mund të themi është se nuk ka asnjë rregullore të UEFA-s ose FIFA-s për përcaktimin e garës në ato kampionate, që mund të mbyllen për shkak të situatave që mund të krijohen në të tilla raste, siç është pandemia e koronavirusit”, – thotë për Gazeta Si, administratori i Dinamos, Ermal Barushi. Klubi dinamovit ka reaguar zyrtarisht për këtë variant, që gjithsesi mbetet një hipotezë.
Edhe trajneri i Besëlidhjes, Elvis Plori, ka mbajtur qëndrim, duke e quajtur të padrejtë “skenarin francez”. Sipas tij, futbolli luhet deri në javën e fundit. Besëlidhja, ashtu si Apolonia në grupin tjetër të Kategorisë së Parë, si vende të dyta në renditjen aktuale, humbin jo vetëm të drejtën për të shkuar në Superiore, por edhe situata e “play-off”-it mbetet e paqartë, nëse do të luhen ndeshjet apo jo. Apolonia është vetëm 2 pikë larg kreut dhe penalizohet më shumë në këtë rast.
Kundërshtime ka edhe nga Lushnja, që është e treta në grupin B dhe nëse vendoset për variantin e Francës, humb çdo shpresë për elitën. Të gjithë këto klube kërkojnë me çdo kusht që kampionati të zhvillojë edhe fazën e tij të fundit për të pasur një garë të drejtë sportive.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.