Futboll

Katar 2022/ Italisë i ndalohet gabimi, Mançini mbështetet te besnikët e tij

Gazeta Si – Brenda ose jashtë. Italia nuk mund të gabojë në rrugën drejt Botërorit dhe trajneri Roberto Mançini, kundër Maqedonisë së Veriut, do t’u besojë heronjve të Euro 2020. Të enjten, në stadiumin “Renzo Barbera”, trajneri italian do të bazohet te forma e mirë e sulmuesve për të siguruar finalen kundër Portugalisë ose Turqisë.

Zgjedhjet e tij janë të detyruara në fakt. Mbrojtja është në emergjencë dhe të gjithë titullarët e Europianit do të mungojnë. Të dëmtuar janë Di Lorenco dhe Spinacola, Bonuçi mund të rikuperohet për ndeshjen e dytë, ndërsa kapiteni Kielini, i cili nuk mund të luajë dy ndeshje në 5 ditë, mund të kursehet për finale. Kështu, përpara Donarumës do të luajnë Mançini dhe Bastoni në qendër, me Florencin dhe Emerson Palmierin në krahë.

Roberto Mançini, trajneri i Italise. Gazeta Si, 23 mars 2022

Nuk ka kohë për eksperimente dhe Mançini ishte i qartë në konferencë shtypi. Në mesfushë do të aktivizohen Barela, Zhorzhinjo dhe Verrati. E njëjta gjë vlen edhe për sulmin, ku tredhëmbëshi titullar pritet të përbëhet nga Berardi, Imobile dhe Insinje.

Skamaka e ka kaluar Belotin si zëvendësues i Imobiles. Mançini sheh si alternativa Pelegrinin në vend të Insinjes dhe Pesinën në vend të Verratit. Për titullarët ai nuk ka asnjë dyshim.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë