Kjo fazë e dytë pritet të përmbysë gjendjen në fundin e tabelës së Kategorisë Superiore. Shenjën e parë e ka treguar Kastrioti i Krujës me fitoren këtë dielë në Gjirokastër përballë Luftëtarit. Krutanët kanë shpartalluar Luftëtarin me rezultatin 1-5 dhe tregojnë se do të luftojnë fort për të qëndruar në Superligë.

Që në minutat e para Kastrioti mori kontrollin e lojës, duke ushtruar presion. Falë kësaj loje, nuk vonoi shumë goli i parë për miqtë krutan. Ishte Roxher që ngriti siparin e golave në minutën e 10’. Në mbyllje të pjesës së parë për Kastriotin shënoi edhe Marku me anë të penalltisë, ndërsa Luftëtari nuk tregoi shenja reagimi për asnjë moment.

Në 45 minutat e dyta, sërish e njëjta lojë, me Kastriotin që sulmonte dhe Luftëtarin e pafuqishëm për të reaguar. Por gjithsesi në minutën e 74’ skuadra gjirokastrite do të gjente forca për të shkurtuar diferencën me anë të Realdo Filit. Por nuk vonoi reagimi i Kastriotit. Marku, Roxher dhe në fund sërish Marku shënuan tre gola të shpejtë që vulosën rezultatin në 1 me 5. Me këtë fitore Kastrioti ngjitet në kuotën e 13 pikë dhe lufta për mbijetesë tashmë bëhet më e ashpër se kurrë. Sakaq Luftëtari me këtë humbje tregoi se do e këtë shumë të vështirë këtë sezon për të mbijetuar në Superligë.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




