Treg

Kastrati i Aeroportit të Rinasit pretendon ndryshimin e kontratës me shtetin. Pritet të ulen çmimet e biletave

Tirana International Airport (TIA) ka njoftuar se ka ulur tarifën e pasagjerit nga 12,5 në 10 euro.

Ky është vendimi i parë që ka marrë TIA për këtë vit të ri, por pretendon që do të ndryshojë dhe Kontratën e Koncesionit të miratuar që në vitin 2004.

Përveç lehtësimit modest për pasagjerët, kompania paralajmëron dhe nisjen e një plani ambicioz investimesh në strukturën e aeroportit, për të kontribuar në lehtësimin e çmimeve të biletës dhe zhvillimit në tërësi të aviacionit dhe turizmit shqiptar.

Si pasojë e kësaj uljeje të tarifës, thotë koncesionari, pritet që efekti në uljen e çmimit të biletës dhe në rritjen e numrit të fluturimeve dhe destinacioneve, do të jetë i ndjeshëm.

Si pjesë e ndryshimeve dhe rinegociimit të Kontratës së Koncesionit, TIA bën me dije se një paketë e plotë investimesh, të cilat arrijnë një total prej afërsisht 100 milionë Euro do të jetë në vëmendjen e menaxhimit të ri, me fokus, zgjerimin e kapacitetit akomodues të aeroportit me 6 milionë pasagjerë në vit, zgjatimin e pistës, përmirësimin e plotë të infrastrukturës së aeroportit dhe përmirësimin e ndjeshëm të cilësisë së shërbimeve.

Pjesë e paketës së negocimit të Kontratës së Koncesionit është edhe liberalizimi i Ground Handling Services (Shërbimet në Tokë), liberalizimi i tregut të karburantit të avionëve bashkë më uljen e çmimit dhe ulja e tarifës së pasagjerit. Kjo do të sjellë një efekt të menjëhershëm në tërheqjen e linjave të tjera “low cost”, përfshirë Ryan Air, dhe rrjedhimisht do të ketë efekt në uljen e çmimit të biletës si dhe në rritjen e numrit të fluturimeve dhe destinacioneve.

Kompania Kastrati Group, e themeluar që në vitin 1990, u bë zotëruese 100% të kapitalit aksionar të TIA-s, pas blerjes së këtyre aksioneve nga kompania kineze “Real Fortress Limited” në muajin dhjetor 2020.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë