Futboll

Kasemiro humb ndeshjet me Brazilin për faj të …dhëmballës së pjekurisë

Brazili duhet t’i bëjë llogaritë pa një prej lojtarëve të tij më të rëndësishëm, mesfushorit Kasemiro. Lojtari i Real Madrid nuk do të marrë pjesë në sfidat e Seleçaos ndaj Venezuelës, Kolumbisë dhe Uruguajit, të vlefshme për kualifikueset e Botërorit të Katarit. Arsyeja e mungesës është sa qesharake, aq edhe normale. Kasemiro ka probleme me dhëmballën e pjekurisë, që nuk e ka lënë të qetë ditët e fundit.

Në sitin e Federatës Braziliane të Futbollit është bërë i ditur edhe motivi që e bëri trajnerin Tite të linte jashtë Kasemiron dhe të thërriste në vend të tij Douglas Luizin.

Kasemiro ne dyluftim me Mesin. Gazeta Si, 6 tetor 2021

“Kemi qenë në kontakte me Real Madridin dhe lojtarin. Kemi marrë nga klubi analizat dhe rekomandimin e mjekut, që tregojnë se Kasemiro ka një infeksion në dhëmballën e pjekurisë, çka e ka detyruar të bëjë pushim absolut, kështu që nuk mund të stërvitet gjatë 5 ditëve të ardhshme”, – ka sqaruar Rodrigo Lasmar, mjeku i kombëtares braziliane.

Në këto kushte, Kasemiro ka qëndruar në Spanjë dhe pas pushimit të rekomanduar nga mjeku do të rifillojë aktivitetin në fushë me Realin e Madridit.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë