Nga Gazeta ‘Si’- Nuk ka ende ansjë vendim nga Komisioni i Ankimimeve dhe Sanksioneve lidhur me kërkesat e Partisë Socialiste dhe asaj Demokratike mbi pretendimet e votave nga Greqia.
Partia Socialiste kërkoi nga KAS shfuqizimin e aktit të kreut të KQZ Ilirjan Celibashit, i cili parashikon që çdo zarf nga diaspora që kontestohet, të lihet mënjanë me një kuti të posaçme.
KQZ e mori këtë akt pas rezervave të shprehura nga PD-ASHM lidhur me fletët e votimit nga jashtë të mbërritura nga Greqia që sollën dhe ndërprerjen e numërimit të votave të ardhura nga diaspora.
Sipas PS-së, ky akt nuk është nxjerrë në respektim të dispozitave ligjore dhe duhet të shpallet i pavlefshëm.
Ndërkohë sipas përfaqësuesit ligjor të Partisë Demokratike, vendimi i KSHZH për veçimin e votave të diasporës është i duhur duke marrë parasysh sipas tij problematikën që ka.
“PS e ka të qartë që PD-ASHM nuk do të lejojë asnjë zarf që vjen nga Greqia të numërohet, derisa të provohet se është marrë personalisht nga zgjedhësi. Kur të provohet kjo, le të numërohet, le të vlerësohet. Po thasë të mbushura nga patronazhistët e PS nuk do të lejojmë të numërohen edhe sikur të jetë gjëja e vetme për të cilin angazhohemi në këtë fazë gjatë numërimit të votës së diasporës”, tha Logu.
Si rrjedhojë e kompleksitetit të çështjes, por edhe për shkak se mund të ndodhë që edhe Komisioni Rregullator të marrë ndonjë vendim tjetër ndërkohë, KAS e shtyu mbledhjen në një moment të dytë.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.