Nga Gazeta ‘Si’- Komisioni i Ankimeve dhe Sanksioneve rrëzoi sot kryetarin e KQZ-së, Ilirjan Celibashi dhe i hapi rrugë Kuvendit që të miratojë projektligjin për burgjet e hapura.
Celibashi pretendonte se ky ligj shkelte Kodin Zgjedhor dhe përfshihej për fushatë elektorale në zgjedhjet parlamentare të 11 majit.
Vendimi u mor me unanimitet: “Nuk shkel parimet e Kodit Zgjedhor. Të burgosurit nuk përfitojnë prej atij ligji financiarisht”, thuhet në vendimin e KAS.
Por çfarë parashikon projektligji?
Nismëtari i këtij pr.ligji është deputeti socialist Nasip Naço.
Sipas draftit, personat që përfitojnë nga ky sistem i ri janë të dënuarit për kundravajtje, apo vepra të kryera nga pakujdesia që nuk e kapërcejnë kufirin e dënimit me 5 vjet heqje lirie.
Drafti parashikon që të dënuarve që u ka mbetur më pak se 2 vjet e 6 muaj burgim për të vuajtur mund ta kryejnë dënimin jashtë qelive, me mbikëqyrje të perimetrit minimal të sigurisë, me kushtin që të sigurojnë një kontratë të rregullt pune. Ky burgim parashikon daljen ditën të të dënuarve për të punuar dhe rikthimin në qeli gjatë natës.
Gjithashtu, sipas propozimit, një i burgosur që vuan dënimin në burgjet e sigurisë së lartë në Shqipëri dhe ka kryer 2/3 e dënimit, mund të kalojë në një institucion të sigurisë së zakonshme pa qenë nevoja që të shkojë në gjykatë, por vetëm me kërkesë të drejtorit të burgut.
Sipas Naços, nisma ka synim kryesor uljen e kostove në buxhetin e shtetit dhe lehtëson problematikat e zbatimit të ligjit në fuqi dhe ofron zgjidhje për rehabilitimin social.
Ai ka theksuar se propozimet janë bazuar mbi një studim të kryer nga Instituti Parlamentar mbi regjimin e burgjeve në vendet e BE-së dhe rajon.

“Anglia për vepra të lehta penale kur i ka ngelur 3 vjet një të dënuari mund ta kalojë te burgu i hapur apo të ketë një kontratë pune. Pra me perimetër sigurie minimal dhe nuk mbyllet në qelinë e burgut”, ka deklaruar ai në Komisionin e Sigurisë Kombëtare.
Pse ishte kundër KQZ dhe çfarë tha Kuvendi?
Më 19 shkurt KQZ vendosi që të bllokonte këtë projektligj.
Sipas kreut të KQZ, Ilirjan Celibashi, pr.ligji “favorizonte kategori të caktuara të popullsisë”, në këtë rast të dënuarit dhe kishte efekt elektoral, pasi do miratohej brenda 4 muajve, kur zgjedhjet mbahen më 11 Maj.
Por Kuvendi nuk ishte dakord dhe pasi shqyrtoi njoftimin e bllokimit nga KQZ, u kundërpërgjigj me një ankimim në Komisionin e Ankesave dhe Sanksioneve (KAS).
Sipas Kuvendit, ky projektligj nuk ka të bëjë me përfitime të dënuarish, pasi nuk ndryshohen vendimet e gjykatave.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




