Lojëra me Dore

Karlos Alkaraz lë pas dëmtimin, rikthehet pas 3 muajsh me fitore

Gazeta Si – Tenisti spanjoll, ish-numri 1 deri disa muaj më parë, është kthyer pas më shumë se 3 muajsh nga dëmtimi. Ai eliminoi Djere në sete, 6-2, 4-6 dhe 6-2, tani ndeshet me Lajoviç.

Rikthehet në fushë me buzëqeshje Karlos Alkaraz. Pas 3 muajsh jashtë fushe, ai ka nisur sezonin. Spanjolli humbi turneun e parë Slam, Australian Open, për shkak të dëmtimit në këmbën e djathtë. Tashmë është rikthyer me një fitore në dheun e kuq të Atp 250 në Buenos Aires.

Karlos Alkaraz. Gazeta Si, 16 shkurt 2023

Alkaraz mundi pas tri setesh serbin Laslo Djere dhe pas ndeshjes u shpreh: “Është një ndjenjë shumë e bukur të fitosh sërish”. 19-vjeçari spanjoll e mbylli ndeshjen me pak vështirësi në setin e tretë. “Kam kaluar shumë kohë vetëm për rikuperimin, jashtë kompeticioneve dhe pa ndeshje. Më në fund ja ku vjen edhe fitorja ime e parë e 2023-shit”, – ka shtuar Alkaraz.

Nën ritmin “Olè Carlos”, fenomeni nga El Palmar ka nisur ngjitjen drejt majave të tenisit botëror. Tashmë numri 1 është rrëmbyer nga Novak Gjokoviç. “Jam vërtet i lumtur në Buenos Aires, – vazhdon Alkaraz. – Dua të falënderoj tifozët për pritjen e ngrohtë. Nuk e prisja një publik të tillë kaq të shumtë. Shpresoj të vazhdoj kështu”.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë