Futboll

Karlo Ançeloti paralajmëron pensionin: Pas Realit, do të tërhiqem!

Gazeta Si – Në një intervistë të fundit, Karlo Ançeloti ka folur për herë të parë për tërheqjen nga bota e trajningut. “Pas Realit të Madridit, me shumë mundësi do të tërhiqem. Nëse klubi do të më mbajë këtu për 10 vjet, do të punoj edhe 10 vjet, – ka thënë trajneri nga Rexholo. – Do të më pëleqentë të rrija me nipërit e mi, të shkoja për pushime me gruan, ka shumë gjëra që i kam lënë dhe do të doja t’i bëja.

Do doja të shkoja në vende, ku nuk kam qenë asnjëherë. Në Australi, për shembull, nuk kam qenë kurrë, nuk kam qenë as në Rio de Zhaneiro. Do doja të takoja motrën më shpesh. Për fat të keq, nuk mund të bësh çdo gjë dhe kështu, ditën kur të tërhiqem, do të kem shumë gjëra për të bërë”.

Karlo Ançeloti me nje trofe Championsi. Gazeta Si, 3 maj 2022

Ançeloti ka folur edhe për sulmuesin Karim Benzema, për të cilin nuk i kursen superlativat: “Benzema? Ka pasur gjithmonë vazhdimësi, nuk ka pasur ulje-ngritje. Ka qenë gjithmonë në nivel të lartë, tani ndoshta në më të lartin. Karim nuk duhet stërvitur dhe as administruar, Karim duhet përdorur. Ai administron veten, sepse është një profesionist i vërtetë, i përulur, një lojtar i madh.

Atij nuk mund t’i thuash asgjë, kjo është e vërteta. Shumë ndeshje i ka zgjidhur ai, ka qenë vendimtar këtë sezon. Për momentin është një nga më të mirët në botë dhe përsëri është i përulur. Besoj se kjo është forca e tij dhe do të fitojë “Topin e Artë”. Por nuk fitojmë vetëm me Benzema, prapa është një strukturë e fortë e një klubi të fortë, është cilësia e një grupi lojtarësh me nivel të lartë”.

Italiani nuk e fsheh dëshirën që të drejtojë edhe një skuadër kombëtare para se të tërhiqet përfundimisht nga trajningu.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë