Shendet

Kardiologu Tafaj: Moti i ftohtë ndikon tek pacientët me sëmundje zemre, si të kujdesen

Nga Gazeta Si- Temperaturat e ulëta dhe i ftohti mund të përkeqësojnë sëmundjet kardiake dhe rrisin ngarkesën mbi zemër.

Mjeku kardiolog dr. Ermir Tafaj flet për kujdes të shtuar në këto ditë të ftohta dimri për pacientët me sëmundje zemre, për mjekim rregullisht dhe shmangien e ekspozimit të zgjatur në të ftohtë.

Dr.Ermir Tafaj, mjek kardiolog pranë Qendrës Spitalore Universitare “Nënë Tereza”, jep disa këshilla për këta pacientë, por edhe për personat e shëndetshëm.

Tafaj shprehet se moti i ftohtë dhe temperaturat e ulëta ndikojnë në gjendjen e arterieve koronorare.

“Kemi dy kategori njerëzish, ata që mjekohen për sëmundje të zemrës dhe pacientët e shëndetshëm. Pacientët të cilët kanë probleme me enët e zemrës duhet patjetër të jenë më të kujdesshëm në temperaturat e ulëta. Duhet të marrin mjekimin e rregullt, duhet të kenë veshur disa shtresa në momentin që janë temperaturat e ulëta”, tha Tafaj.

Sipas Dr. Tafajt, në vendet me borë këto pacientë bëjnë një lloj sforcimi të shtuar duke marrë lopatat për të hequr borën në segmente të caktuara, çka mund të shfaqë edhe te pacientët që nuk kanë qenë në dijeni më përpara episode të dhimbjes së gjoksit.

“Edhe pacientët të cilët janë të shëndetshëm dhe nuk kanë qenë në dijeni që mund të kenë pasur ose jo ngushtim të enëve koronare kuptojnë që i ftohti dhe sforcimi në të ftohtë shfaq klinikën e dhimbjes së gjoksit. Duhet me patjetër të jenë të kujdesshëm të dy grupet e popullatave, si ato që kanë probleme me enët e zemrës dhe ato që janë të shëndetshëm”, thotë Tafaj.

Ai thotë se është një dhimbje shtrënguese e cila mund të përhapet majtas-djathtas gjoksit, që mund të marrë krahun e majtë ose të dy, ose mund të përhapet mbrapa shpatullave.

“Një dhimbje që mund të hapet dhe pushon kur ne futemi në ambient të ngrohta ose kur ndalojmë sforcimin. Këto dhimbje janë një alarm i kuq që duhet të shkohet drejt mjekut”, vijoi Tafaj.

Mjeku kardiolog u ndal edhe te simptomat e një tjetër goditjeje në zemër, siç është infarkti akut i miokardit.

“Një emergjencë e cila nuk pret. Sa më shpejt të shkojmë në urgjencë, aq më i madh do të jetë përfitimi që do të ketë muskuli i zemrës”, përfundoi Tafaj.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë