Nga Gazeta ‘Si’- Në dhjetor të vitit të shkuar, Mirlinda Karçanaj u vlerësua nga “Apolitical” mes 100 drejtuesve publike më të suksesshme në botë për inovacionin dhe zbatimin e Inteligjencës Artificiale.
Por ironikisht, dhjetori i këtij viti nuk ishte aq dorëlëshuar me të sa ai i shkuari.
Mirlinda Karçanaj sapo është vënë në arrest shtëpie nga SPAK, i cili e akuzon për grup kriminal, pastrim parash dhe abuzim me tenderat e AKSHI-t (Agjencia Kombëtare e Shoqërisë së Informacionit).
E vendosur në krye të AKSH-it qysh prej 2013-s, emri i saj nuk ishte lakuar në media për skandale të mëdha deri në fillim të 2022-shit.
Një figurë jopolitike, ajo shihej si pjesë e bërthamës teknokratike të qeverisjes Rama, për shkak të rolit strategjik të AKSHI-t.
Por së pari, ishte skandali me databazën e patronazhistëve. Së dyti, nxjerrja e listës me pagat e mijra qytetarëve.
Rrjedhja e të dhënave personale, vuri në pikëpyetje aftësitë e institucioneve për të mbrojtur të dhënat sensitive që u kanë besuar shqiptarët duke shigjetuar kryesisht një person të vetëm: Mirlinda Karçanajn.
Që prej vitit 2017, sistemet dhe infrastruktura e teknologjisë së informacionit të institucioneve qendrore në Shqipëri administrohen nga AKSHI – një institucion në varësi të Ramës.
AKSHI mbart detyrimin ligjor për të garantuar sigurinë dhe pacënueshmërinë e sistemeve të infrastrukturës kritike të përdorura nga institucionet shtetërore si dhe administron portalin unik qeveritar e-Albania.
Por edhe pse ligjërisht ishte kështu, Karçanaj e përjashtoi institucionin që ajo drejtonte nga përgjegjësia dhe e konsideroi ngjarjen ‘një keqmenaxhim aksesi” në sistemin digjital të Tatimeve.
Karçanaj rrekej me të gjitha format t’i mbushte mendjen opinionit dhe mediave se skandali i të dhënave për pagat dhe më vonë edhe ai për targat, nuk kishin rrjedhur nga “e-Albania”.
Por Prokuroria e Tiranës shpejt i rrëzoi pretendimet e saj.
Ajo arriti të identifikojë se databaza me listat e pagave të mijëra qytetarëve jo vetëm nuk ishin një publikim i jashtëm apo sulm i jashtëm kibernetik, por se të dhënat u morën brenda sistemeve ku punonjës të brendshëm kishin akses — pjesë e institucioneve që i menaxhojnë këto të dhëna.
Prokuroria arrestoi punonjësit e AKSHI-t dhe personat që i blenë dhe shfrytëzuan të dhënat.
Në një konferencë për mediat, drejtuesja e Prokurorisë së Tiranës zbuloi se si ishte nxjerrë dokumenti që qarkulloi në Whatsapp nga punonjësit e AKSHI dhe si kishte përfunduar në duart e drejtuesit të një kompanie kredish dhe përmbaruesve.
Skema u zbardh menjëherë pasi prokurorët sekuestruan serverat e AKSHI-t dhe të Drejtorisë së Tatimeve.
Një çështje shumë e nxehtë që implikoi rolin e AKSH-it këtë vit ishte edhe zhdukja e Daniel Shimës, ish-zv.drejtor i kësaj agjencie.
Shima u raportua si i zhdukur më 20 gusht 2025, pasi familjarët humbën kontaktin me të.
Rreth orës 17:00, ai i dërgoi të dashurës një mesazh ku shkruante “po më arrestojnë”, pas së cilës nuk u komunikua më për disa orë.
Rreth 10 orë më vonë, Shima u rikthye në banesë dhe deklaroi se ishte larguar me dëshirë, pas një konflikti me partneren. Sidoqoftë, mënyra e zhdukjes dhe itinerari i lëvizjeve të tij ngritën dyshime të forta.
Pamje sigurie e filmuan atë në zona si Qyteti Studenti dhe rruga pranë tunelit Tiranë–Elbasan, por asnjë shpjegim i plotë nuk u dha për itinerarin, takimet apo mesazhin alarmues që dërgoi.
Kjo ngjarje erdhi në një kohë kur Daniel Shima ka qenë nën vëmendjen e SPAK për shkak të rolit të tij në dhënien e disa tenderave të dyshimtë gjatë kohës që mbante postin e zv.drejtorit në AKSHI.
Ndër më të përfolurit është tenderi prej 43 milionë eurosh i fituar nga kompania “Advanced Business Solutions (ABS)”, e lidhur me dyshime për favorizime dhe korrupsion institucional.
Shima përshkruhet si pjesë e një grupi interesi që ka pasur përballje të vazhdueshme me një tjetër grup të lidhur me figura të afërta me pushtetin.
Sali Berisha, në një deklaratë të tij publike, e ka vendosur në qendër të një “cikloni mafioz” që kontrollon tenderat dhe kontratat shtetërore në fushën e teknologjisë.
Disa media shkruan se Shima ishte marrë peng dhe se pas këtij momenti ai u bë i penduar i drejtësisë.
Pas kësaj ndodhie, hetimi i Karçanajt kaloi nga hapat paraprake të denoncimeve politike dhe shqetësimeve për prokurime jo transparente, në një fazë ku Prokuroria e Posaçme kërkoi të merrte sqarime direkte nga drejtuesja e AKSHI‑t.
Këtë muaj, rreth orës 13:43 pasdite, drejtoresha e AKSHI-tu paraqit në ambientet e SPAK, e shoqëruar nga avokatja e saj.
Hetimi për të cilin u thirr Karçanaj ishte fokusuar mbi 12 procedura tenderuese të organizuara nga AKSHI, ku dyshohej se proceset e prokurimit ishin zhvilluar në mënyrë që t’i favorizonin fituesit e paracaktuar dhe të mos respektonin principet e barazisë dhe konkurrencës — akuza që sipas hetuesve lidhen me shkelje të barazisë së pjesëmarrësve dhe parakushte të tjera procedurale me pasoja financiare milionëshe.

Pas më shumë se tre orësh brenda zyrave të SPAK‑ut, Karçanaj doli në oborrin e Prokurorisë pa bërë asnjë koment për mediat dhe pa i përgjigjur pyetjeve të gazetarëve, ndërsa avokatja e saj shmangu çdo prononcim zyrtar për situatën e klientes.
Gjatë asaj dite nuk u bë e ditur publikisht se çfarë pyetjesh i ishin bërë apo për çfarë kishte dhënë shpjegime Karçanaj, por ‘përgjigjen’ e morëm sot.
Në një njoftim zyrtar, SPAK tha se është ekzekutuar masa “arrest në shtëpi” për të dhe zv.drejtoreshën e AKSHI-t Hava Delibashi.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




