Gazeta Si – Gjykata e Posaçme e Apelit shpalli të pafajshëm kryebashkiakun e Devollit, Eduart Duro, i cili u akuzua nga SPAK për ndërtimin pa leje të një pike karburant në Bilisht.
Këtë të martë u la në fuqi vendimi i Shkallës së Parë të Gjykatës së Posaçme, pavarësisht ankimimit të SPAK.
Të pafajshëm u shpallën edhe personat e tjerë të akuzuar për të njëjtën çështje. Më herët, SPAK kërkoi deklarimin fajtor të tij për shpërdorim detyre me arsyen se licensoi një karburant që ishte i ndërtuar pa leje.
Por gjykata vendosi se fakti i paraqitur nga SPAK nuk përbën vepër penale. Duro u hetua nga SPAK për “shpërdorim detyre” nën dyshimin se kishte licensuar një karburant pa leje në Bilisht.
Gjatë shqyrtimit gjyqësor, SPAK pretendoi se Duron në bashkëpunim me vartësit e tij, pajisën shoqërinë tregtare “Genci Petrol” sh.p.k me autorizim për tregtimin me pakicë të karburantit.
Sipas prokurorisë, ky autorizim është dhënë në kundërshtim me ligjin, pasi në vitin 2019 Inspektoriati Kombëtar i Mbrojtjes së Territorit kishte vendosur prishjen e pikës së karburantit.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.