Analize

Karburantet ndezin Francën e Bullgarinë. Shqipëria “ngrohet”

Më shumë se 400 të plagosur, mijëra postblloqe dhe përleshje të egra. Në Francë më shumë se 288 mijë persona dolën të dielën në rrugë dhe i kërkuan presidentit Emanuel Makron të dorëhiqej. Ndërkaq, për çmimin e karburanteve protesta masive shpërthyen edhe në Bullgari.

Ndërkohë që protestuesit francezë përgatiteshin për një ditë të dytë manifestimesh, Ministria e Brendshme mori në pyetje 300 protestues, 157 prej të cilëve u arrestuan. Demonstruesit, të njohur si "jelekët e verdhë", janë ngritur kundër presidentit Makron pasi në Francë, pasi çmimi dhe taksat për karburantin janë rritur, edhe pse në tregun ndërkombëtar janë ulur.

Çfarë po ndodh në Francë?

Emanuel Makron erdhi në pushtet vitin e kaluar duke premtuar rimëkëmbjen e ekonomisë franceze por ka ngjallur zemërim dhe zhgënjim të madh në mesin e shumë qytetarëve. Duke argumentuar se francezët duhet të largohen nga lëndët djegëse fosile, Makron ngriti taksën e naftës këtë vit me 7.6 cent për litër dhe atë të benzinës me 3.9 cent.    

Francë, protestë kundër rritjes së çmimit të karburantit

Si pasojë e këtij vendimi, çmimi i naftës, karburanti më i përdorur në makinat franceze, është rritur me rreth 23% gjatë 12 muajve të kaluar duke arritur në 1.71 euro për litër, çmimi më i lartë që nga fillimi i viteve 2000. Kjo rritje e çmimeve vjen ndërkohë që tregu i naftës bruto në botë po ngjall frikë për rënien e vazhdueshme të çmimit.

Macron ndodhej në Gjermani për ditën kombëtare të viktimave luftës dhe zyra e tij iu shmang përleshjeve, duke deklaruar se do të ishte e papërshtatshme të diskutonte mbi protestat gjatë kohës që ishte në Berlin.

Situata më e tensionuar erdhi pranë Elize, pasi protestuesit u përpoqën të hynin me forcë në pallatin presidencial, duke detyruar policinë të qëllonte me gaz lotsjellës. Për të minimizuar natyrën e jashtëzakonshme të një marshimi të tillë në vendin simbolik të pushtetit ekzekutiv, ministria e Brendshme fajësoi demonstruesit që u përpoqën të thyenim kordonin policor.   

Shumë e kthyen zemërimin e tyre ndaj presidentit Emmanuel Macron, duke e akuzuar se ishte jashtë kontaktit me realitetin. Por mbështetja për protestat duket edhe më e gjerë. Gati tre të katërtat e të anketuarve në një sondazh të realizuar përgjatë javëve të fundit mbështesin protestuesit dhe 70% e tyre donin që qeveria të tërhiqte rritjet e taksave të karburantit.

Demonstruesit u mblodhën në më shumë se 2,000 postoblloqe në të gjithë Francën të shtunën dhe në qindra të tjera të dielën, sipas ministrisë së brendshme. Shumica e protestave kaluan në mënyrë paqësore, por në disa vende tensionet arritën kulmin dhe shoferët u përpoqën të kalon me forcë përmes postblloqeve.   

Francë, protestë kundër rritjes së çmimit të karburantit

Në incidentin më të rëndë, një protestuese femër vdiq pak pasi një shofer i rrethuar nga demonstruesit u vu nën presion dhe iu përpoq të kalonte. Në Kaenin e veriut, protestuesit dolën në rrugë duke i kërkuar presidentit Makron të dorëhiqej. Ministri i brendshëm Christophe Castaner e quajti një natë tragjike duke thënë se pati sulme, përleshje dhe therje.

Protesta edhe në Bullgari

Pas francezëve, edhe qytetarët në Bullgari kanë dalë në protesta për rritjen e kostos së jetesës duke përfshirë çmimin e lartë të karburantit. Protestuesit dolën në rrugët e Sofjes duke kërkuar dorëheqjen e qeverisë. Në kryeqytet, edhe pse një mot me shi protestuesit bënë një marshim paqësor nga Parlamenti në ndërtesën e kabinetit qeveritar. Në disa qytete të Bullgarisë shoferët bllokuan rrugët e qytetit, ndërsa u bllokuan edhe disa pika kufitare. Organizatori i protestave është Aleksandër Stamboliiski, një= figurë e shquar në protestat kundër “çmimit të lartë të karburantit” , duke i vënë fre oreksit të qeverisë bullgare dhe kompanive private.

Por çfarë ndodh kur rriten çmimet e karburantit në Shqipëri?

Brenda një jave çmimi i një litri naftë në Shqipëri është rritur muajin e kaluar me 10 Lekë. Në shumicën e pikave të karburanteve nafta shitet me 183 Lekë, ndërsa benzina kushton 184 Lekë. Ka dhe disa pika ku një litër naftë tregtohet me 192 Lekë, duke e bërë Shqipërinë një ndër vendet me çmimet më të larta të karburantit në botë. Tregtarët e karburanteve e lidhin shtrenjtimin e çmimit me rritjen e vlerës së një fuçie naftë në tregjet ndërkombëtare në 100 dollarë dhe me strukturën e taksave që u ngarkohet karburanteve.    

Por ndryshe nga Franca, në Shqipëri askush nuk proteston ndaj rritjes së çmimeve të naftës dhe benzinës. Vendi ynë ndodhet në listën e 10 shteteve në kontinentin europian me çmimin më të lartë, si Danimarka, Franca, Anglia, Italia dhe Zvicra, shtete të cilat sot përdorin standardin euro 5, ndërsa lë pas sa i takon vlerës së çmimit të karburantit Austrinë, Holandën, Japoninë e Gjermaninë.     

“Në Shqipëri çmimi i një litri naftë është 182 lekë, ndërsa mesatarja e tij në botë është 117 Lekë, rreth 40% më shumë”, shprehet faqja globale e çmimit të lëndëve djegëse, Global Petrol Prices. Vendi ynë ka po ashtu çmimin më të lartë në të gjithë rajonin. Në Greqi një litër kushton 180 Lekë, në Serbi 174, në Maqedoni nafta kushton 136, në Mal të Zi 163 Lekë, në Bosnjë Hercegovinë 145 dhe në Kroaci 172 Lekë.

Madje, importuesit kryesorë shqiptare deklaruan se nëse çmimi i një fuçie i kalon 100 dollarë, një litër nafte apo benzinë do të kalojë pragun 200 lekë për litër. Sipas tyre, e vetmja mënyrë për lehtësimin e qytetarëve dhe ekonomisë nga çmimet e larta të naftës është një ulje e barrës fiskale mbi karburantet nga ana e qeverisë.    

Çmimi i karburanteve në vendin tonë është kaq i kripur pasi aktualisht në Shqipëri mbi 110 lekë ose 60 përqind e çmimit final të naftës dhe benzinës përbëhet nga taksat.
Në çdo litër naftë që shitet në treg, qeveria shqiptare mbledh 37 lekë akcizë, 27 lekë taksë qarkullimi, 3 lekë taksë karboni dhe 7 deri në 10 lekë taksë riliçensimi.

Këtyre katër taksave që shkojnë në buxhet u shtohen dy tarifa shërbimesh që paguhen për konçesionarët privatë. 1 lekë për litër, për markimin e karburanteve dhe 1,4 lekë për litër për konçesionin e skanimit. Në fund, pas këtyre 6 taksave paguhet edhe tatimi mbi vlerën e shtuar, i cili është 20 për qind e çmimin final.

Por, me rritjen e mëtejshme të çmimeve është pikërisht TVSH që do të rritet si taksë sepse sa më e lartë të jetë vlera e deklaruar në shitje aq më i lartë është dhe tatimi mbi vlerën e shtuar.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë