Ka ndodhur

Kapja e 202 kg kokainë në Milano me vlerë 15 milionë euro, si u arrestuan 3 shqiptarët   

Gazeta Si - Tre shqiptarët e arrestuar një ditë më parë me 202 kg kokainë, u ndaluan në dy raste të ndryshme në periferinë e Milanos në Itali.

Pjesa e parë e drogës, 142 kg kokainë u gjet e fshehur brenda 4 makinave të parkuara në parkingun e varrezave në Agrati. Dy shqiptarë, të moshave 44 vjeç dhe 37 vjeç, u arrestuan gjatë aksionit policor.

Njëri prej tyre kishte marrë me qira një garazh dhe një apartament në zonë. Lënda narkotike ishte fshehur në vende të posaçme brenda automjeteve.

Në rastin e dytë u sekuestrua sasi prej 60 kg kokainë në Milano në një makinë me targa angleze.

Një shqiptar i tretë u arrestua gjithashtu. Të dy rastet kanë lidhje me njëra-tjetrën. Sipas mediave italiane, shqiptari i tretë që u kap në Milano e kishte marrë sasinë prej 60 kg kokainë nga automjetet e parkuara pranë varrezave.

Sipas policisë italiane, vlera e kokainës së sekuestruar përllogaritet në rreth 15 milionë euro.

Një sërë kontrollesh u kryen në disa banesa dhe ambiente të marra me qira prej shqiptarëve në Milano dhe komunën Agrati.

Brenda tyre u gjetën makineri për numërimin e parave, një çantë me 3000 kartëmonedha false, 80 mijë euro cash, nga të cilat 18 mijë Euro janë false.

Ka dyshime se grupi ose paguante blerjen e mallit me para të falsifikuara një pjesë, ose paguhej nga blerësit me prerje të tilla, duke i manipuluar.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë