Futboll

Kapiteni Lautaro Martinez udhëheq Interin me dopietë, asnjë minutë për Asllanin

Gazeta Si – Interi e ka nisur mirë Serinë A 2023/24, duke mposhtur Moncën me rezultatin 2-0 në javën e parë. Protagonist absolut i mbrëmjes ishte kapiteni Lautaro Martinez, autor i një dygolëshi vendimtar.

Argjentinasi firmosi avantazhin vetëm pas 8 minutash, duke devijuar saktë një asist të Dumfris, pasi i mori kohën ish-shokut btë skuadrës, D’Ambrozio. Në vazhdim të ndeshjes Interi iu afrua disa herë golit të dytë me Dimarko, por e gjeti në minutën e 76-të sërish me Lautaro Martinez, këtë herë pas asistit të Arnautoviç, blerjes së fundit.

Martinez feston nje nga golat ndaj Monces. Gazeta Si, 19 gusht 2023

Kristjan Asllani, mesfushori i Kombëtares shqiptare, nuk u aktivizua asnjë minutë në këtë ndeshje. Është vetëm java e parë e kampionatit, por duket se trajneri Inzagi nuk ka në plan të ndryshojë qëndrim sa i takon mesfushorit kuqezi. Sezonin e kaluar ai i besoi shumë pak Asllanit, edhe tani, me largimin e Brozoviç, asgjë nuk ka ndryshuar.

Napoli kampion në fuqi tregoi forcën, duke mundur me përmbysje Frozinonen në transfertë. Skuadra e ngjitur në Serinë A kaloi e para në avantazh me një penallti, më pas të besuarit e trajnerit Garsia realizuan 3 gola me Politanon dhe Osimhen (dopietë). Një nisje shumë e mirë për Amir Rrahmanin me shokë.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë