Gazeta Si- Zvicra mbetet me këmbë në tokë, ata e dinë se nuk u lodhën shumë duke mposhtur Italinë e Spallettit në raundin e 1/8-ave, me rezultatin 2-0.
Aq sa kapiteni Granit Xhaka, para se të përqendrohet për sfidën e çerekfinaleve kundër Anglisë, e thotë hapur: “Nuk e kisha parë kurrë Italinë aq në vështirësi në fushë sikundër nesh, fituam para se të zbrisnim në fushë, siç bënë ata me ne tre vjet më parë pikërisht në Europian. Ishin të frikësuar”, - shpjegon kapiteni i Zvicrës.
Nga kampionët në fuqi te karikaturat e kampionëve, hapi nuk ishte i shkurtër, duke qenë se ishte përfshirë edhe eliminimi nga Kupa e Botës nga Maqedonia e Veriut.
Por këndvështrimi i pamëshirshëm i kapitenit zviceran, një shpirt i çeliktë edhe i Bayer Leverkusen, kampion i Gjermanisë dhe finalist i Ligës së Evropës kundër Atalantës, është veçanërisht i habitshëm: në ngjitjen e pazakontë me shkallët lëvizëse që i çon lojtarët në “Olimpiastadion” në Berlin nga dhomat e zhveshjes në fushë, Italia ishte tashmë një kopje e zbehtë e vetes.
Pa siguri për shkak të një ndryshimi tjetër në formacion dhe lojtarëve, pa asnjë copëz të asaj shkëndije të paralajmëruar pas golit të barazimit kualifikues të Zaccagni në minutën e fundit kundër Kroacisë.
Kjo vetëm sa konfirmon "normalitetin" e fitores nga këndvështrimi zviceran ("Jemi më të uritur se kurrë" nënvizon vetë Xhaka) dhe natyrën e jashtëzakonshme të humbjes së Italisë, e cila luajti një nga ndeshjet e saj më të dobëta në epokën moderne.
Ndoshta më e shëmtuara nga të gjitha, në një katalog që zgjerohet vit pas viti si një galeri gabimesh dhe tmerresh futbollistike.
Përgjigja e Spallettit dhe Federatës për një moment të jashtëzakonshëm, megjithatë, ishte e zakonshme, mes problemeve të përgjithshme dhe alibive specifike dhe qesharake, si vapa e madhe në Berlin, e cila me sa duket i mori frymën “axurrëve” që në fishkëllimën e startit.
Megjithatë, fjalët e Xhakës vërtetojnë se Italia – ajo e “Ne të gjithë jemi numri 10” e thirrur nga trajneri në një nga truket më të matura mediatike dhe psikologjike, po të kemi parasysh se para Shqipërisë, ai evokoi një ekip heronjsh – nuk frikëson më asnjë në këtë moment historik. Asnjë, veç vetes.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.