Gazeta Si - Tomas Souçek, mesfushori që mban shiritin e kapitenit te Çekia dhe një nga më të mirët e barazimit 1-1 në Pragë, ka pohuar në konferencë shtypi se synon fitoren në Tiranë. Lojtari që luan për Uest Hem në Premier Ligë ka vlerësuar forcën e Shqipërisë, por kërkon më të mirë nga sfida e nesërme.
“Ndeshja është e vështirë dhe duhet vlerësuar maksimalisht. Do të fokusohemi te loja jonë, nuk mund të mendosh të fitosh një ndeshje vetëm me goditje standarde. Sinqerisht e them, në Tiranë kemi ardhur për të fituar. Në Pragë ne luajtëm për tri pikët, por gjërat nuk shkuan ashtu si menduam dhe Shqipëria gjeti golin e barazimit.
Shqipëria tregoi kualitet në fushën tonë. Ka një skuadër shumë të mirë, me lojtarë që luajnë në kampionatet më të rëndësishme të Europës. Ky fakt na motivon më shumë. Stadiumi është vërtet shumë i bukur, ju përgëzoj. Mendoj se atmosferën që do të krijohet duhet ta kthejmë në favorin tone”, - tha kapiteni i çekëve.
Pas tij foli trajneri Shihlavi, i cili mes të tjerash theksoi: “Jemi shumë të motivuar për të bërë mirë. Kemi ardhur këtu për një rezultat pozitiv dhe skema me të cilën do të luajmë do të vendoset në fund. Do jetë një skemë, që mendojmë se do të na sjellë rezultat.
Kemi parë lojtarë shumë cilësorë te Shqipëria, duke nisur nga mbrojtja. Jemi të informuar mbi Shqipërinë, kundërshtari ynë ka shumë besim në vetvete dhe kjo është diçka e veçantë. Shqipëria disponon lojtarë që luajnë në Serie A, ka një sulm me emra si Uzuni, Asani apo edhe Broja. Është një skuadër me kualitet dhe ne duhet të bëjmë kujdes.
Nëse gabojmë, Shqipëria ka elementë që mund të bëjnë dëm në çdo moment. E kemi studiuar dhe duhet të tregohemi vigjilentë në çdo moment, por ashtu siç Shqipëria ka përgatitur ndeshjen edhe ne e kemi bërë. Kemi pikat tona të forta. Natyrisht që atmosfera në stadium do të jetë shumë e zjarrtë, me një publik të shumë të numër, por jemi mësuar me një atmosferë të tillë. Kemi lojtarë që luajnë çdo javë në stadiume të tejmbushura.
Në lojë janë tri pikë për t’u kualifikuar dhe do të luajmë për ato tri pikë. Skuadra jonë është me përvojë, e ka treguar se në ndeshje të tilla të vështira ku luhet për ‘jetë a vdekje’ se ia ka dalë të fitojë”.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.