Bashkë me trajnerin Reja, në konferencë shtypi ka dalë sot edhe Etrit Berisha, i cili mban shiritin e kapitenit në ekip. Portieri i Torinos theksoi mes të tjerash se skuadra është maksimalisht e përqendruar dhe sipas tij, mjafton të përsërisë ndeshjen e Elbasanit.
I pyetur për favorin që mund të krijojë fakti që luhet pa tifozë, Berisha tha: “Kemi luajtur gati dy vite pa tifozë dhe ishte trishtim. Edhe tani që u kthyen, sërish do të luajmë pa tifozë. Mendoj që futbolli në fund të fundit është për tifozët dhe një fitore, po të jenë tifozët, është shumë e madhe. Edhe ne kënaqemi më shumë kur janë tifozët. Jemi të përqendruar për ndeshjen e nesërme dhe nuk mendojmë shumë në këtë aspekt, mendojmë të bëjmë lojën tonë dhe të fitojmë”.

Më pas, për fitoret e fundit dhe gjendjen e skuadrës para Hungarisë, kapiteni i kuqezinjve u shpreh: “Ndeshjet që kemi bërë na kanë ndihmuar shumë të shikojmë edhe nivelin e kundërshtarit. Jemi të sigurt se mund të bëjmë gjëra të mëdha dhe e kemi dëshmuar. Fitorja me Hungarinë na ka ndihmuar shumë dhe na ka dhënë edhe më shumë vetëbesim për ëndrrën tonë. Shpresoj që nesër të marrim një fitore të radhës, që do të jetë diçka edhe më e madhe dhe ndeshja ndaj Polonisë do jetë më e lehtë për ne.
Pikat e forta të Hungarisë? Ajo ka lojtarët shumë cilësorë, por “arma” e tyre më e fortë është grupi. Nuk kanë yje, por si grup ka bërë gjëra të mira. Do të jetë një ndeshje e vështirë për të dyja skuadrat. Ne kemi fituar në ndeshjen e parë dhe do të nisemi nga ajo. Në Elbasan luajtëm mirë në mbrojtje dhe në sulm, krijuam shumë raste, kështu shpresoj të luajmë edhe nesër, me atë ritëm”.
Kuqezinjtë mbajnë vendin e dytë në grup me 12 pikë. Hungaria është rival direkt, ashtu si dhe Polonia, ndaj këto dy ndeshje të radhës janë vendimtare.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




