Ka ndodhur

Kapet në Tiranë 34-vjeçari i shpallur në kërkim, arrestohen edhe 4 të tjerë

Policia e Tiranës ka ndaluar një 34-vjeçar të shpallur në kërkim kombëtar në kryeqytet.

“Në vijim të punës për kapjen e personave në kërkim dhe vënien e tyre përpara përgjegjësisë ligjore, specialistët e Seksionit Ekonomiko-Financiar bënë ekzekutimin e vendimit penal për shtetasin në kërkim N. M., banues në Tiranë, të cilin Gjykata e Rrethit Gjyqësor Tiranë e ka dënuar me 3 muaj burgim, për veprën penale “Vjedhja e kryer duke shpërdoruar detyrën”, thuhet në njoftimin e policisë.

Policia ka arrestuar në flagrancë edhe 4 shtetas të tjerë, për vepra të ndryshme penale.

Policia thotë se është vënë në pranga shtetasi E. S., 27 vjeç, banues në Tiranë. Shërbimet e Policisë e kanë konstatuar këtë shtetas në rrugën “Kahreman Ylli”, ku gjatë kontrollit fizik i është gjetur dhe sekuestruar një sasi lënde narkotike e llojit heroinë.

Po ashtu specialistët e Qarkullimit Rrugor arrestuan në flagrancë shtetasit:

M. L., 36 vjeç, pasi në rrugën “Endri Keko”, duke drejtuar mjetin motorin pa lejen përkatëse ka humbur kontrollin e mjetit dhe për pasojë është vetëdëmtuar, jashtë rrezikut për jetën;

Gj. A., 43 vjeç dhe I. S., 37 vjeç, pasi u kapën në flagrancë nga shërbimet e Policisë duke drejtuar mjetet përkatëse në gjendje të dehur.

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Tiranë.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë