Ka ndodhur

Kapet hajduti ‘serial’ i dyqaneve të kompanive celulare në Tiranë

Gazeta Si – Pieraldo Pelushi është hajduti që vodhi nën kërcënimin e një pistolete-çakmak, një shumë parash në zonën e “Myslym Shyrit”, ndërsa një ditë më pas tentoi të vidhte në një dyqan tjetër të një kompanie celulare.

31-vjeçari i dënuar për veprat penale në fushën e narkotikëve, është identifikuar dhe policia ka bërë të mundur arrestimin e tij. Sakaq, ka sekuestruar veshjet të cilat autori ka patur veshur gjatë kryerjes së krimeve.

Pelushi vodhi me 11 tetor në një dyqan në “Myslym Shyri” rreth 300 mijë lekë të vjetra. Me një bluzë të ndezur në ngjyrë të kuqe, pantallona xhins dhe një kapele të zezë në kokë ai iu drejtua shitëses dhe dyshohet se nën kërcënimin e armës i vodhi paratë.

Por nuk u mjaftua me kaq. Një mbrëmje më vonë, në zonën e Kombinatit hyri në një kompani celulare. “Ju bëftë mirë”, ju tha punonjëseve që po konsumonin ushqim. Më pas nxorri pistoletën duke kërkuar paratë.

Por njëra prej tyre duket se nuk e besoi që arma të ishte e vërtetë dhe i kërkoi të dalë nga dyqani. E kështu Pelushi doli duarbosh e si përfundim ra në prangat e policisë.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë