Një 37-vjeçar është proceduar penalisht pasi u kap në Morinë me 32 450 Euro e 140 mijë lekë të rinj të padeklaruara.
Policia bën me dije se shtetasi me inicialet A. L tentoi t’i fuste këto shuma monetare brenda vendit në mënyrë të paligjshme.
“Gjatë kontrollit fizik dhe kontrollit në çantën e këtij shtetasi, shërbimet e Policisë kanë gjetur 32 450 euro dhe 140 000 lekë të rinj, të cilat shtetasi A. L. po tentonte t’i fuste në vendin tonë, pa i deklaruar konform ligjeve në fuqi. Në vijim të veprimeve procedurale, strukturat hetimore të DVKM Kukës referuan materialet në Prokurori ku nisi procedimi në gjendje të lirë për shtetasin A. L., 37 vjeç, banues në Shkodër, për veprën penale ‘Mosdeklarimi në kufi i të hollave dhe i sendeve me vlerë’. Gjithashtu, në cilësinë e provës materiale u sekuestrua shuma e parave”, njofton policia.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Kukës, për veprime të mëtejshme.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.