Bota

Kapen rreth 3 tonë kokainë në Itali, ngarkesa vinte nga Ekuadori mes bananeve

Gazeta Si – Sekuestrim rekord i kokainës mes kutive të bananeve në portin e Gioia Tauros në provincën e Rexhio Kalabrias në Itali.

Policia dhe zyrtarët e zyrës doganore, zbuluan 2 tonë e 734 kilogramë kokainë të pastër në dy kontejnerë që vinin nga Guayaquil, në Ekuador, me destinacion Armeninë, përmes portit të Batumit, në Gjeorgji.

Lënda narkotike ishte e vendosur në kontejnerë, në frigoriferë, ishte mbi 12 metra e gjatë dhe e fshehur në një ngarkesë frutash të përbërë nga 78 tonë banane.

Operacioni që çoi në sekuestrimin e gati tre tonëve kokainë, me qëllim luftimin e trafikut ndërkombëtar të drogës, u krye me koordinimin dhe drejtimin e Drejtorisë Antimafias të Qarkut Rexhio Kalabria.

Kokaina u identifikua pas operacioneve të gjata dhe komplekse të kërkimit, me ndihmën e skanerëve të sofistikuar dhe njësitë e qenve të Guardia di Finanzas, me qenin nuhatës të drogës “Joel”.

Sipas mediave italiane, lënda narkotike e sekuestruar, e cilësisë jashtëzakonisht të pastër dhe në gjendje perfekte, do t’i kishte sjellë trafikantëve të ardhura mbi 800 milionë euro.

“Gjithashtu, duke marrë parasysh sasinë e madhe të drogës, – thuhet në një njoftim për shtyp, – për operacionet e transportit dhe asgjësimit të mëpasshëm, janë punësuar mbi 30 agjentë të specializuar të policisë. Në ditët para operacionit, aktivitetet komplekse të analizës së rrezikut dhe gjetjet faktike mbi mijëra kontejnerë nga Amerika e Jugut, i kishin lejuar policisë financiare dhe doganierëve të identifikonin ngarkesa shtesë kokaine për një total prej 600 kilogramësh”.

Droga, në këto raste, ishte fshehur në gjashtë kontejnerë në mënyra gjithmonë të ndryshme: mes mallrave, në xhepa false ose përsëri në zgavrat e jashtme të kutive të bananeve.

Të gjithë kontejnerët transportuan fruta ekzotike nga Ekuadori dhe përmes portit të Gioia Tauros, duhet të kishin arritur në porte të ndryshme, si në Itali ashtu edhe jashtë saj, veçanërisht në Kroaci, Greqi dhe Gjeorgji.

Metodat e fshehjes së drogës shpesh rezultojnë të jenë të ndryshme dhe gjithnjë në zhvillim, duke i detyruar hetuesit të perfeksionojnë herë pas here metodologjitë e operimit.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë