Ka ndodhur

Kapen 31 kg kanabis në Vorë, arrestohen 3 persona

Gazeta Si – Policia e Tiranës në bashkëpunim me atë të Vorës, ka arrestuar tre persona, ndërsa dy të tjerë janë shpallur në kërkim, të akuzuar për trafikim të lëndëve narkotike.

Këta shtetas dyshohet se në bashkëpunim me njëri-tjetrin, siguronin lëndë të dyshuar narkotike të llojit cannabis sativa në sasi të mëdha dhe më pas e shisnin atë me pakicë te persona të tjerë.

Policia thotë se në rrugën dytësore në autostradën Tiranë-Durrës, lokalizoi një automjet brenda të cilit dyshohej se kishte lëndë narkotike të llojit kanabis sativa.

Gjatë kontrollit të këtij automjeti janë gjetur 29 pako me lëndë të dyshuar narkotike të llojit kanabis sativa, me një peshë totale 31 kg.

Në kuadër të operacionit “Overpass”, u bë arrestimi në flagrancë i shtetasve:

D. M., 29 vjeç, banues në Laprakë, për veprën penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”;

F. T., 36 vjeç, banues në Vorë, për veprën penale “Veprime që pengojnë zbulimin e së vërtetës”;

A. Sh., 26 vjeç, banues në Vorë, për veprën penale “Veprime që pengojnë zbulimin e të vërtetës”.

Shtetasit F.T., dhe A.Sh., me detyrë operatorë të kamerave, kanë ndërhyrë në serverat e kamerave të sigurisë, për të fshirë pamjet e regjistruara.

Gjithashtu, u shpallën në kërkim shtetasit J. Z., 30 vjeç dhe E. S., 22 vjeç, për veprën penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë