Ka ndodhur

Kapen 176 kg kanabis në Fier, trafikantët tentuan ta hidhnin drogën në lumë

Gazeta Si – Tre persona janë arrestuar në Fier, ndërsa dy të mitur janë proceduar penalisht, pasi u kapën në flargancë më 17 thasë me kanabis që tentuan t’i hidhnin në lumë sapo panë policinë.

Me finalizim e operacionit policor të koduar “Baltëz” u bë arrestimi në flagrancë i shtetasve: Z.(P). V., 44 vjeç, P. V., 22 vjeç dhe E. V., 27 vjeç, banues në Baltëz, Fier. 

Gjithashtu u referuan materialet në Prokurori dhe nisi procedimi në gjendje të lirë për 2 shtetas të mitur, 14 dhe 16 vjeç, banues në Baltëz, Fier. 

Pesë shtetasit, në momentin që kanë parë shërbimet e policisë që kanë shkuar për kontroll, kanë tentuar të hedhin thasët me lëndë narkotike në lumë, por janë kapur në flagrancë.

Shërbimet e Policisë kanë sekuestruar në cilësinë e provës materiale 17 thasët e mbushur me lendë të dyshuar narkotike cannabis sativa, me peshë totale 176 kg.

Gjithashtu, në cilësinë e provës materialet u sekuestruan 2 peshore, gërshërë, 3 aparate celulare dhe pajisje të tjera që i shërbenin kësaj veprimtarie kriminale.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë