Fabio Kapelo, trajneri i njohur italian, ka folur për skuadrat e Europianit, duke mos i kursyer kritikat për disa prej tyre. Në një intervistë të gjatë për “Corriere della Sera”, ish-trajneri i Milanit, Romës dhe Juventusit, ka folur së pari për sfidën e Italisë me Spanjën.
"Italinë e kam vendosur gjithmonë në 4 skuadrat gjysmëfinaliste. Kam parë rritjen e skuadrës, një evolucion që mund të sjellë benefite në lëvizjen tonë. Do të thosha diçka për futbollin italian, shpresoj të mos shihet më se çfarë bëhej 10 vite më parë, le të shohim atë që po bën Mançini. Italia luan futboll të bukur, të shpejtë. Lojtarët janë të vëmendshëm dhe agresivë, janë të gjitha mundësitë për të bërë mirë”, - tha Kapelo për “axurrët”.
Pastaj gjykimi i tij për Spanjën: "Çfarë duhet të kemi frikë nga Spanja? Të mos na vërë në gjumë. Spanja luan futboll të ngadaltë dhe nëse përshtatemi me atë ritëm, rrezikojmë shumë. Ata kanë aftësi të mira teknike, e kontrollojnë mirë topin. Për t’i përballuar Italisë i duhet shpejtësi dhe kthjelltësi në rikuperimin e topit dhe për të sulmuar pastaj. Pastaj mbrojtja e tyre nuk është e pathyeshme".
Më tej një mendim edhe për Anglinë, një skuadër që Kapelo e ka drejtuar në të kaluarën: "Sinqerisht, më është dukur shumë mirë. Është kompakte, luan futboll të kujdesshëm në mbrojtje dhe në mesfushë. Janë agresivë dhe shumë të rrëzikshëm në goditjet standarde. Ukrainës i shënuan 2 gola nga topa inaktivë dhe 3 gola i realizuan me kokë. Duhen pasur në konsideratë, janë në një moment shumë të mirë. Të mos pësosh gol, është një ndryshim mentaliteti. Edhe portieri Pikford luan mirë me këmbë, është një “armë” më shumë".
Franca? Kapelo e gjykon kështu: "Mbape e përkeqësoi Europianin e tij duke gabuar në penalltinë vendimtare. Franca më duket mendjemadhe, pak e përulur, ndaj dhe shkoi në shtëpi shpejt".
Kapelo ka komentuar edhe rastin “Eriksen”: "Danimarka është një skuadër me kualitet, lojtarët ndihmojnë shumë njëri-tjetrin dhe kanë nivel. Rasti i Eriksenit i tronditi fillimisht, më pas i bëri edhe më kompaktë. Ai ishte ylli i skuadrës. Po bëjnë gjëra interesante, nuk kanë presion në raport me të tjerat. Lideri është Kjaer, edhe për atë gjest të bukur në dramën e Eriksenit".
Në fund edhe çështja “Imobile”: "Simulimet e Imobiles? Nuk dua t’i vë faj lojtarit, përgjegjësia e parë është e arbitrave italianë. Na kanë mësuar me këtë mënyrë dhe dikush thotë: pse të mos e bëjë? Sigurisht, nuk është e ndershme për etikën sportive. Arbitrave italianë u mungon aftësia për të kuptuar, nëse është një finte, apo një kurth për ta. Vazhdojnë të vërshëllejnë çdo lloj faulli të lehtë, sepse duan të mbajnë ndeshjen nën kontroll. Është çështje personaliteti”.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.