Analize

Kaosi politik mbërthen Evropën

Ekonomia e eurozonës u rrit me ritmet më të shpejta në dekadë gjatë vitit të kaluar dhe papunësia ra në pikën më të ulët që nga kriza globale financiare. Vera duket se ka ardhur herët ndërkohë që evropianët po presin të emocionuar Kupën e Botës, e cila do të mbahet në Rusi muajin e ardhshëm. Por atmosfera politike e kontinentit duket më e zymtë se kurrë.

Kundërshtarët e Kryeministrit spanjoll Mariano Rajoy po mobilizojnë një votim mosbesimi dhe po komplotojnë mbajtjen e zgjedhjeve të parakohshme. Italia është po ashtu në kaos dhe mund të shkojë sërish në zgjedhje të cilat kanë gjasa të forcojë edhe më shumë partitë populiste. Ndërkohë, bisedimet e ashpra mbi “Brexit” në Britani pritet të arrijnë një tjetër pikë kritike në qershor. Presidenti francez Emmanuel Macron po ndërmerr disa reforma ekonomike që kanë nxitur një valë grevash dhe protestash dhe po dobësojnë popullaritetin e tij. Dhe ndërkohë Bashkimi Europian po përpiqet të mbajë një qëndrim kundër tarifave tregtare të SHBA-së, të merret me fuqizimin e Rusisë dhe të mbajë nën vëzhgim Turqinë.

Spanja zhytet në kaos polititk

Kryeministri spanjoll, Mariano Rajoy, u përfshi në një aksident të rëndë ajor, pasi helikopteri më të cilin udhëtonte u rrëuza pak pasi u nis nga Madridi. Bishti i avionit mori flakë, por Rajoy doli me vetëm një gisht të thyer. Episodi i vitit 2005 ishte një pjesë e hershme e legjendës së zotit Rajoy si një politikan i pashkatërrueshëm, i zgjedhur disa herë si kryeministër. Megjithatë , Rahoy ka sfiduar ditët e fundit kritikët e tij dhe është zotuar të mbajë pushtetin.

Mariano Rahoy

Të premten, 63-vjeçari u përball me një mocion besimi të paraqitur nga opozita socialiste e Spanjës për ta larguar nga qeveria. Gjithçka erdhi pas përfshirjes së tij në një rast korrupsioni javën e kaluar. Rajoy nuk u akuzua për keqbërje, por gjykatat thanë se dëshmia e tij dhe e figurave të tjera të larta të partisë së tij, të cilët thanë se nuk dinin asgjë për një fond të fshehtë, nuk ishin "të besueshme". Opozita e Spanjës dhe shumica e mediave kanë bërë thirrje që Rajoy të shpërndajë qeverinë dhe të thirrasë zgjedhje të menjëhershme. Por pavarësisht nga akuzat e opozitës, ka shenja se mbijetuesi i madh i Spanjës mund të mashtrojë edhe një herë këtë javë vdekjen politike.

"Për 15 vjet njerëzit kanë parashikuar fundin e Rajoy dhe janë gabuar në të gjitha rastet-thotë Ignacio de la Torre, kryeekonomisti i “Arcano”- E vërteta është se ai mund të mbijetojë dhe do të vazhdojë të jetë kryeministër edhe për disa vite të tjera.".

Armiqtë e Rajoy po përpiqen të bashkojnë forcat për ta rrëzuar. Partia liberale Ciudadanos gjithashtu dëshiron që ai të largohet, por nuk i pëlqen mocioni i besimit të socialistëve, përkundrazi preferojnë më mirë të shkojnë në zgjedhje, se sa të shohin udhëheqësin socialist, Pedro Sánchez të ngjitet në pushtet.

Kryeministri Rahoy dhe kabineti i ministrave 

Për t’u vetëmbrojtur, Rajoy dhe ministrat e tij po përdorin një lojë politike për të shmangur sfidën kundër tyre, duke paralajmëruar se votimi i qeverisë do të çojë në paqëndrueshmëri financiare ndërkohë që ekonomia spanjolle po rritet me hapa të qëndrueshëm. Ky mesazh vjen në një javë kur tregjet spanjolle janë nën presion për shkak të efektit të situatës së tensionuar politike në Itali. Román Escolano, ministri spanjoll i financave deklaroi se mocioni i socialistëve rrezikonte të vinte në rrezik" stabilitetin e Spanjës. Si kryeministër që nga viti 2011 Rajoy kryesoi krizën më të thellë ekonomike që kurse Spanja u kthye në demokraci, ngritjen e dy partive të reja politike dhe një seri skandalesh korrupsioni. Njerëzit pranë partisë gjithashtu thonë se Rajoy ka neutralizuar çdo kërcënim ndaj udhëheqjes së tij.

 "Mënyra më e mirë për të hyrë në PP është t'i premtosh besnikëri të përhershme Rajoy dhe të mbash kokën ulur” tha një zyrtar i partisë.

Megjithatë, analistët thonë se vendimi i gjykatës javën e kaluar dhe trazirat pasuese kanë përshpejtuar ndjenjën se Rajoy dhe partia e tij nuk mund të mbijetojnë deri në zgjedhjet e planifikuara në vitin 2020, ose të fitojnë një mandat tjetër në detyrë Sondazhet sugjerojnë se Rajoy është lideri partiak më pak popullor në Spanjë, një trend që është përshpejtuar edhe më shumë muajt e fundit. Sipas analistëve spanjollë, kryeminstri dhe partia e tij janë dënuar tashmë me “vdekje”.

Trazirat në Europë

Macron, Merkel, May

"Vetëm tre muaj më parë atmosfera në Evropë ishte shumë më pozitive për shkak të rritjes ekonomike, por edhe për shkak të gjendjes së përgjithshme politike", tha Mujtaba Rahman, drejtoresha për Evropën në firmën kërkimore “Eurasia Group” në Londër.

Nuk është se Evropa është në një gjendje të përhershme krize, por statistikat e qëndrueshme ekonomike dhe qetësia relative e tregut financiar kanë shërbyer për të maskuar zhgënjimin dhe përçarjen, veçanërisht në jug të kontinentit. Rezultati është një kthim i menjëhershëm i rrezikut politik për investitorët, i cili pritet të jetë edhe më i madh në javët dhe muajt e ardhshëm. Në Itali, presidenti Sergio Mattarella i kërkoi ish-drejtorit të Fondit Monetar Ndërkombëtar të formonte një qeveri dhe të përgatitej për zgjedhje të reja. Udhëheqësit populistë që presin të marrin pushtetin sulmuan Mattarellën për rrëzimin e koalicionit të tyre, duke sugjeruar se ai pjesë e një komploti ndërkombëtar kundër Italisë, duke bërë të qartë se fushata e tyre e ardhshme do të përqëndrohet tek Evropa dhe dalja nga eurozona.

"Gjërat duhet të përkeqësohen para se të përmirësohen", tha Carsten Nickel, drejtor i ”Teneo Intelligence”, një kompani konsulente për riskut politik- Situata politike është shumë më e keqe sesa ishte gjashtë apo shtatë vjet më parë. Por rreziku më i madh ka të bëjë me dobësimin e tregjeve financiare, si pasojë e ngërçit politik.

Por asnjë nga trazirat e njëpasnjëshme në kontinent nuk do të zgjasë përgjthmonë. Spanja nuk është Italia. Udhëheqësi i Ciudadanos Albert Rivera ka bërë thirrje për stabilitet, të cilin e ka konsideruar si “armën” e vetme për të fituar betejën intelektuale kundër populistëve dhe nacionalistëve". Ekonomia po rritet me rreth 3 për qind dhe deficiti buxhetor duket se do të jetë nën limimet e vendosura nga BE-ja për herë të parë në një dekadë. Të gjitha zgjedhjet në vendet anëtarë pothuajse me siguri do të çojnë drejt një politikë më miqësore pro-evropiane.

Sfidat nga Rusia, SHBA dhe Turqia janë deri diku përtej kontrollit të BE-së, ashtu si edhe Brexit, pasi Britania po lufton me një betejë të brendshme rreth kushteve të divorcit.

Në një vizitë në kryeqytetin e BE të hënën, kryeministrja skoceze, Nicola Sturgeo, tha se ka ardhur koha që Britania të pranojë një marrëveshje që e mban atë më të përafruar me BE.

Pyetja është nëse një zgjidhje për Brexit ose për qeveritë e reja në Itali dhe Spanjë mund të ndihmojnë udhëheqësit politikë të Evropës që të trajtojnë probleme më të thella, siç është papunësia e të rinjve dhe paqendrueshmëria politike. Presioni i këtyre krizave politike mund ta ndihmojë BE-në të forcojë institucionet e saj dhe të behët më e fuqishme se kurrë.

Burimet: "Financial Times", "Bloomberg"


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë