Nga Gazeta ‘Si’- Pas kaosit të seancës së djeshme në Kuvend, ku opozita pengoi kryeministrin Edi Rama të prezantojë programin qeverisë, delegacioni i BE në Tiranë, thotë se parlamenti duhet të jetë një forum për debat konstruktiv.
Në një reagim për mediat thuhet se është për të ardhur keq që publiku shqiptar u privua nga mundësia për t’u informuar siç duhet për programin qeverisës.
“Në kontekstin e anëtarësimit, Parlamenti ka një rol vendimtar për të luajtur në debatin dhe miratimin e reformave legjislative që lidhen me BE-në, duke vlerësuar ndikimet e tyre dhe duke siguruar që ato të bazohen në një proces gjithëpërfshirës dhe transparent.
Debati mbi programin e qeverisë së re për katër vitet e ardhshme do të kishte ofruar një mundësi të rëndësishme për të diskutuar pikëpamje dhe qasje të ndryshme ndaj objektivit të anëtarësimit, i cili mbetet një ambicie ndërpartiake.
Delegacioni i BE-së në Tiranë do të vazhdojë angazhimin e tij për të forcuar rolin e parlamentit si një institucion që promovon dhe mishëron dialogun e hapur dhe gjithëpërfshirës politik. Ne besojmë se të gjitha partitë politike të Shqipërisë dhe të gjithë sektorët e shoqërisë do të jenë në gjendje dhe të gatshëm të luajnë rolin e tyre në kontributin drejt përparimit të Shqipërisë për përmbushjen e kërkesave të anëtarësimit në BE”, thuhet në reagim.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




