Gazeta Si – Gara e Melburnit vazhdon të prodhojë polemika. Një nga të apasionuarit që e ndoqën nga afër garën u godit nga një pjesë e shkëputur nga makina e Magnusen në momentin e incidentit. Është hapur një hetim ndërkohë për të kuptuar hyrjen e tifozëve, kur eventi ende nuk ishte mbyllur.
Shtohen debatet në lidhje me administrimin e garës së Australisë në F.1. Tashmë jo për atë që ndodhi në pistë, por ka një alarm edhe për sigurinë. Një rast i rrallë ai i Uill Suit, një tifoz Australian që u kthye në shtëpi me një plagë të thellë në njërin krah. Ai u godit nga një pjesë e shkëputur nga Has i Kevin Magnusen. Për fatin e tij të mirë dëmi ishte i vogël.

Australiani 31-vjeçar ndodhej te kodra pranë kthesës së dytë në cirkuitin e Albert Park dhe 4 xhiro para fundit Magnusen u përplas me barrierat. Një pjesë e një prej rrotave të makinës përfundoi te tifozët, që ishin rreth 20 metra larg. Aty goditi Uillin, duke e gjakosur në krah.
Tifozi i Mercedesit, duke parë veshjen, është shprehur: “Sinqerisht, ndihem me shumë fat, mund të ishte më e rëndë. Krahu më mbulonte qafën. Nëse do të kishte goditur të fejuarën time, do ta kapte në kokë, pasi është më e shkurtër. Kur mora në dorë pjesën e rrotës, pashë që ishte e madhe dhe shumë e rëndë. Me atë pjesë bëra vetëm një foto, pastaj e morën tifozët”.
Në garën e Australisë, sikur të mos mjaftonte ky episod, pati edhe një pushtim të pistës nga një numër jo i vogël tifozësh, kur makinat ishin ende në circuit. Një pakujdesi, që vetëm për fat nuk u shndërrua në një tragjedi.
FIA e ka konsideruar atë që ndodhi ‘një shkelje të rëndë të kodit sportiv’. Për këtë ngjarje është hapur një hetim.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)



