Prej paradites së të hënës, mijëra qytetarë në Tiranë dhe Durrës ishin në “terr” televiziv. Autoriteti i Medias Audiovizive shkëputi sinjalet analoge dhe tha se Shqipëria po hynte në një fazë të re, atë të digjitalizimit.
Në fakt, digjitalizimi i transmetimeve audiovizive është një kërkesë e hershme e Bashkimit Europian, por në realitetin shqiptar, asnjëherë nuk ka qenë e ngutshme. Kjo teknologji është testuar për herë të parë në Britaninë e Madhe në vitin 1997 dhe një vit më vonë nisi të përhapej në vendin ishullor.
Në Europën kontinentale mbërriti në vitin 2000 dhe ishte më tepër një nismë e operatorëve privatë që përmes kësaj metode transmetimi kërkonin të tërhiqnin më shumë klientë tek paketat e tyre me pagesë.
Testimi rezultoi një dështim në aspektin komercial, por në aspektin teknologjik dhe të dobive që sillte për qytetarët, duke u ofruar atyre një sinjal më të pastër, një gamë më të gjerë kanalesh televizive dhe për më tepër pa efektet anësore të valëve të transmetimeve analoge, Bashkimi Europian nxiti qeveritë që të shndërrohen në një rregullator. Vendeve anëtare të BE-së në atë periudhë iu shpërnda direktiva që udhëzonte qeveritë përkatëse që të udhëhiqnin procesin e digjitalizimit, por sigurisht, duke u siguruar që e drejta për informim e qytetarëve të mos cenohej.
Kështu nisi ngadalë procesi që sinjalizonte mbylljen e një epoke gjysmëshekullore të transmetimeve analoge dhe hapjes së epokës së re digjitale. Transmetimi i parë digjital nisi në vitin 2002 në Berlin, por Finlanda ishte vendi i parë në Europë që e përmbylli këtë proces në vitin 2007.
Pas Finlandës digjitalizimi nisi të shtrihej ngadalë në vende të tjera brenda dhe jashtë Bashkimit Europian. Teknologjia që nisi të përdorej gjerësisht ishte DVB-T (Digital Video Broadcasting – Terrestrial), produkt i konsorciumit “DVB Group”. Në vitet 2006-2007 ky grup nisi punën për të përmirësuar këtë teknologji. Pas testimeve në zona të izoluara, në treg u hodh dekoderi DVB-T2 (Digital Video Broadcasting – Second Generation Terrestrial). Nga 2008 disa platforma nisën që të ofrojnë shërbimet e tyre përmes këtij dekoderi dhe sistemi më të avancuar.
T2 ofronte një shpejtësi dhe numër kanalesh më të lartë, por ndryshimet me gjeneratën paraardhëse nuk ishin thelbësore përsa i takon cilësisë, ndaj pjesa më e madhe e vendeve të Bashkimit Europian nisën kryesisht pas 2011 që ta ofrojnë atë si shërbim plotësues për DVB-T dhe jo detyrues.
Kompanitë e prodhimit të televizorëve nisën që t’iu përshtateshin realitetit të ri dhe në pajisjet që nxirrnin në treg inkorporonin dekoderat DVB-T dhe më rrallë edhe dekoderat DVB-T2.
Sot, është e vërtetë që në Bashkimin Europian sinjali analog u zhduk, por është po aq e vërtetë se pjesa e europianëve që shohin televizor përmes teknologjisë DVB-T2, ashtu sikundër u mundua që të kalojë Shqipëria, mbetet ende minorancë.
Të dhënat e “Dataxis” për vitin 2017 për 40 vende të Europës tregojnë se 19 prej tyre transmetojnë përmes DVB-T, 9 përmes DVB-T2 dhe 12 vende të tjera përmes një sistemi hibrid të transmetimeve digjitale, që ofrojnë edhe DVB-T dhe DVB-T2.

Në total, 65 për qind e shikuesve në këto 40 vende për 2017 sinjalin e merrnin nga DVB-T, kryesisht përmes televizorëve që e kanë të inkorporuar këtë dekoder. Kjo shifër, parashikohet që të ulet në 61 për qind për 2018 dhe të bjerë në rreth 23 për qind deri në vitin 2022, sipas planeve të qeverive dhe autoriteteve rregullatore përkatëse.

Sot, procesi i kalimit nga DVB-T në DVB-T2 nuk është mbyllur ende edhe në vendet më të zhvilluara të Bashkimit Europian. Autoritetet rregullatore kanë zgjatur afatet për të mos dëmtuar konsumatorin dhe për të mos hequr të drejtën për informim, pasi pjesa më e madhe e qytetarëve nuk kanë në televizorët e tyre të inkorporuar dekoderin DVD-T2, por gjeneratën e parë të tij.
“Rrumpalla” digjitale në Shqipëri
Në vitin 2012, qeveria miratoi strategjinë kombëtare për kalimin nga transmetimet analoge tek ato digjitale. Sipas vendimit, brenda vitit 2015, asnjë televizion shqiptar nuk mund të transmetonte më në sistemin analog, por të gjithë duhet të kalonin në transmetimin digjital.
Në 2015 vendi nuk ishte gati dhe Autoriteti i Mediave Vizive e shtyu këtë afat, ndërsa sinjali analog kishte nisur të fikej nëpër rrethet, në Tiranë e Durrës, ku banon një e treta e popullsisë testohej ende sinjali digjital, deri këtë shtator.
Por, atë që europianët po e bëjnë me faza, shqiptarët vendosën ta realizojnë duke kaluar direkt nga transmetimet analoge tek ato digjitale të teknologjisë së fundit. Në disa rrethe ky proces u mbyll, me hir a me pahir dhe qytetarët u detyruan që t’u drejtohen paketave kabllore, ose të blinin dekoderin DVB-T2.
Nën shembullin e kësaj, AMA njoftoi se në 10 shtator do të ndërpriteshin sinjalet analoge në Tiranë dhe Durrës. Autoritetit, përsëriste “sqarimin se televizorët e rinj e kanë të inkorporuar këtë dekoder”, por pa saktësuar se “sa të rinj”. Për një familje mesatare në Tiranë e Durrës, e në gjithë Shqipërinë televizor i ri quhet edhe ai i blerë në vitin 2015, apo më herët akoma, mjafton që të jetë Full HD dhe në varësi të markës edhe Smart TV.
Por, rastisi që një pjesë e madhe e këtyre televizorave, të kishin aftësinë për t’u lidhur me internetin dhe gjithë botën, por jo me sinjalin e digjitalizuar të AMA-s. Çfarë ndodhi? Nga radhët e krijuara nëpër dyqane, ku njerëzit “u vranë” për një dekoder, kupton që shumica e shqiptarëve në banesat e tyre i kanë televizorët “e rinj”, por me dekoder DVB-T të inkorporuar dhe jo me DVB-T2, ashtu siç e kërkon AMA.
Në këtë terren është abuzuar edhe prej tregtarëve, falë mungesës së qartësisë ligjore e “përgjumjes” së strukturave shtetërore që të diktonin pas miratimit të strategjisë së digjitalizimit, në mos bllokimin e shitjes e televizorëve pa këtë dekoder të inkorporuar, të paktën të bëhej transparente për klientët, që pajisja u mungonte.
Sot, habia është se AMA kërkon të zbatojë në masën 100 për qind në Shqipëri një teknologji që ende nuk zbatohet 100 për qind në vendet e Bashkimit Europian, madje nuk kalon as shifrën 40 për qind të përdorimit. Si shembull, Greqia transmeton me teknologjinë DVB-T, ndërsa DVB-T2 planifikon që ta adoptojë deri në vitin 2022.
Eksperimenti, dështoi me sukses dhe AMA njoftoi rikthimin e sinjalit analog për Tiranën e Durrësin, 24 orë pasi e shkëputi atë dhe pasi qytetarët “boshatisën” magazinat e kompanive që shisnin dekoderat në DVB-T2, ose dekodera universalë.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.