Futboll

Kaos në futbollin inferior/ Momente paniku në Berat, dhunë në Pogradec

Gazeta Si – Kategoria e Parë dhe e Dytë luajtën sot ndeshjet e shtyra nga fundjava për shkak të motit të keq. Dhe problematikat nuk munguan në disa fusha për nivelin e futbollit inferior në Shqipëri.

Në stadiumin e Beratit, ku u luajt ndeshja Tomori-Burreli, pati momente paniku, sepse dy lojtarë të ekipit matjan u përplasën kokë më kokë mes tyre. Florenc Farruku ka rënë pa ndjenja në fushë, duke trembur jo pak lojtarët e tjerë dhe publikun.

Me ndërhyrjen e dy stafeve mjekësore lojtari u përmend dhe më pas u transportua për në spitalin e Beratit për të marrë ndihmë më të specializuar mjekësore. Për fat të mirë, rreziku i madh kaloi.

Në Pogradec ndërkohë u rishfaqën skenat e dhunës, këtë herë në fushë. Në fillimin e ndeshjes Pogradeci-Butrinti, pas një kartoni të kuq ndaj një lojtari të Butrintit, të gjithë lojtarët e ekipit sarandiot iu vërsulën arbitrit, duke e marrë përpara. Bashkë me ta edhe një zyrtar i klubit mik, që gjithashtu u ndëshkua me karton të kuq.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë