Situatë kaotike për rikthimin e Ksavit te Barcelona, për të marrë drejtimin e saj. Administratori i klubit katariot ka bërë me dije se është arritur akordi me katalanasit, por këta të fundit nuk kanë në plan të paguajnë 5 milionë euro për prishjen e kontratës. Trajneri mund t’i paguajë nga xhepi vet.
Ksavi Hernandez është i destinuar të bëhet trajner i Barcelonës, por orët e fundit situata është bërë mjaft konfuze. Rikthimin e spanjollit te katalanasit e njoftoi fillimisht klubi Al-Sad:
“Drejtuesit e klubit kanë lejuar transferimin e Ksavit te Barcelona, pas pagesës së klauzolës së prishjes së parashikuar në kontratë, – shkruhet në një njoftim zyrtar të klubit katariot. – Kemi arritur një akord për bashkëpunim me Barcelonën në të ardhmen. Ksavi është pjesë e rëndësishme e historisë së Al-Sad dhe i urojmë më të mirën”.

Në Spanjë ndërkohë thuhet se Barcelona nuk ka asnjë plan për të paguar 5 milionët e parashikuara në kontratë për lirimin e trajnerit. Nga burime pranë katalanasve është thënë se njoftimi i Al Sad është si një presion ndaj Barcelonës. Situatën mund ta zgjidhë vetë Ksavi, duke paguar të paktën një pjesë të klauzolës nga xhepi i tij.
“Mundo Deportivo” shpjegon se trajneri dhe klubi mund ta ndajnë pagesën e klauzolës. Ksavi më pas mund ta rikuperojë shumën që do të derdhë me anë të disa kontratave që ka si ambassador i futbollit katariot.
Ksavi dhe përfaqësuesit e Barcelonës ndërkohë kanë gjetur akordin edhe për pjesën tjetër të stafit. Ish-mesfushori do të ketë ndihmës vëllanë e tij Oskar Hernandez dhe Serxhio Alegren, përgatitës atletik Ivan Torres, tre analistë David Prats, Serxhio Garsia dhe Toni Lobo, si dhe fizioterapistin Karlos Nogueira. Të gjithë bashkë do të kenë detyrën të udhëheqin Barcelonën në erën post-Mesi.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




