Ka ndodhur

Kanoste dhe përndiqte një vajzë me anë të profileve false, arrestohet 27-vjeçari

Policia e Tiranës ka vënë në pranga një 27-vjeçar, pasi ka kanosur dhe ka përndjekur një vajzë në mënyrë të vazhdueshme me anë të profileve false në rrjetet sociale.

Policia thotë se është arrestuar 27-vjeçari Igli Paskali, i cili kishte hapur një numër të madh profilesh të rrjeteve sociale me të dhëna të rreme.

Policia njofton se nëpërmjet mesazheve që dërgonte nga këto profile të rrjeteve sociale, ky shtetas ka kanosur në mënyrë të vazhdueshme një shtetase nga Tirana, me të cilën ka realizuar dhe një takim, duke u prezantuar me të dhëna të rreme.

Pas realizimit të operacionit u konstatua se ky shtetas kishte hapur 13 profile me të dhëna të rreme, nëpërmjet të cilave janë kryer dhe veprimet kriminale.

Gjatë kontrollit fizik dhe në banesën e këtij shtetasi është gjetur dhe sekuestruar në cilësinë e provës materiale një telefon celular iPhone.

Policia thotë se për këtë shtetas është caktuar urdhri i ndalimit, pasi dyshohet se ka konsumuar veprat penale “Falsifikimi kompjuterik” dhe “Përndjekja”. 

Ndërkohë po punohet për zbardhjen e plotë të këtij aktiviteti kriminal.

Materialet hetimore u dërguan në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Tiranë, për vazhdimin e veprimeve të mëtejshme hetimore dhe procedurale, për veprat penale “Falsifikimi kompjuterik” dhe “Përndjekja”.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë