Nga Gazeta ‘Si’- Një punonjës policie dhe një punonjës i një biznesi u përplasën paraditen e djeshme në zonën e quajtur “Malajziani” në Laprakë në kryeqytet.
Burime bëjnë me dije se konflikti ka nisur pasi punonjësit e një lokali i kanë kërkuar efektivit të largonte makinën e parkuar pranë ambientit të tyre, duke pretenduar se po pengonte zonën e shërbimit.
Debati mes palëve është tensionuar me shpejtësi, duke kaluar nga përplasje verbale në nxjerrjen e armës nga ana e policit.
Në pamjet e kamerave të sigurisë duket momenti kur polici i nxjerr armën e shërbimit djalit me të cilin është në konflikt, teksa të pranishëm ka edhe persona të tjerë, përfshirë edhe dy gra.
Pas kësaj ngjarjeje, policia ka njoftuar pezullimin e policit, pasi akuzohet se ka kanosur me armën e shërbimit, duke shkelur rregullat.
Sipas njoftimit, punonjësi i policisë F. H., për motive të dobëta, u konfliktua me shtetasin D. H. Në funksion të hetimit, punonjësit të Policisë iu bllokua arma e shërbimit, tip pistoletë “TT”.
Burimet bëjnë me dije se për rastin, Agjencia e Mbikëqyrjes Policore ka nisur një hetim, ndërsa polici, i cili rezulton të jetë i punësuar në Policinë e Tropojës, po hetohet në gjendje të lirë. Procedimi është marrë në këshillim me prokurorinë, ku tashmë është referuar rasti.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)


