Politike

Kandidati i opozitës, Petro Gjikuria: Do punoj për himariotët dhe jo për ata që po u uzurpojnë pronat (PBDNJ dhe Omonia e zyrtarizojnë)

Petro Gjikuria do të jetë kandidati që do t’i përfaqësojë në garën për bashkinë e Himarës përballë Vangjel Tavos. PD nuk ka folur ende por PBDNJ dhe "OMONIA' po. Përmes një deklarate të përbashkët, OMONIA dhe PBDNJ theksojnë se, pas konsultimesh intensive me komunitetet përbërëse të Bashkisë Himarë, por edhe asosacionet përfaqësuese të tyre në emigracion, iu propozua partive politike opozitare aleate që në zgjedhjet për Kryetarin e Bashkisë së Himarës të mbështesin kandidaturën e Petro Gjikurias.

Në deklaratë shkruhet se, në zgjedhjet e pjesshme në Himarë nuk do të varet vetëm fati i drejtimit të Bashkisë për pjesën e mbetur të mandatit, por, sipas tyre, edhe fati i standarteve të zhvillimit të zgjedhjeve palamentare të vitit të ardhshëm. OMONIA, në deklaratën e saj e konsideron si rrëmbim dhe dhunim të vullnetit të sovranit heqjen e mandatit nga KQZ ndaj Fredi Beleri.

Vetë Petro Gjikuria ka reaguar përmes një deklarate në faqen e tij Facebook, duke e bërë fakt të kryer kandidimin e tij.   

“Kur qytetarët e Himarës vendosën të ndryshonin kryetarin e bashkisë, nuk u lejuan. Ish kryetari humbës i zgjedhjeve vazhdoi të qëndrojë në drejtimin e Bashkisë dhe Kryebashkiaku fitues, Fredi Beleri, e pa veten pas hekurave të burgut me akuza të fabrikuara. Gjatë gjithë kësaj kohe Himara mbeti pa kryetar bashkie.

Duke parë të gjitha këto dhe pasi mësova për shpalljen e zgjedhjeve vendore në datën 4 gusht, mora vendimin të bëj një hap përpara për vendin, të shpall kandidaturën time për Kryetar të Bashkisë Himarë dhe të kërkoj nga partitë politike, nga shoqatat e ndryshme dhe nga çdo bashkëqytetar të mbështesë këtë kandidaturë dhe të ecim së bashku përpara për të nesërmen e Himarës..”, shkruan Gjikuria. Por kush është ai?

“Kam lindur në Dhërmi dhe vij nga një familje që ka luftuar për dy gjëra të shenjta: për Vendin dhe për Demokracinë. Kam punuar fort në Greqi dhe në SHBA dhe kam mësuar shumë duke punuar në fushën e kulinarisë dhe hotelerisë, por edhe në organizata të ndryshme të diasporës dhe të gjitha këto dije dhe eksperienca dëshiroj t’i vendos në funksion të vendit tim, duke punuar së bashku me bashkëqytetarët e mi për mirëqenien dhe zhvillimin e Himarës në të gjitha fushat”.

Çfarë premton Petro Gjikuria?

“Në datën 4 gusht nuk votojmë për të zgjedhur Kryeministër, votojmë për Kryetar Bashkie! Votojmë për të nesërmen e Himarës!

E nesërmja në Bashkinë Himarë nuk do të ketë përjashtime, nuk do të ketë fëmijë të nënës dhe njerkës, banorë të përhershëm dhe të përkohshëm, socialistë dhe demokratë, tanët dhe të atyre.

Nuk do të ketë korrupsion, nuk do të ketë pasiguri për pasurinë e çdo qytetari, nuk do të ketë Kryebashkiak të emëruar që zbaton verbërisht urdhrat e të gjithë atyre që duan të uzurpojnë pronat tona, ngado qofshin ata.

Jemi të gjithë banorë të Himarës dhe nuk duhet të lejojmë askënd të na përçajë, sado lart qoftë ai. Mbi të gjitha dhe para së gjithash është interesi i zonës!

E nesërmja për Bashkinë Himarë ka program, atë që vendosën qytetarët me shumicë votash në maj të vitit të kaluar.

E nesërmja ka punë, ka zgjidhje, ka investime, ka Evropë, ka Demokraci, të cilën para së gjithash e garanton kryetari i Bashkisë. Ka Kryebashkiak që do të ketë porta të hapura në Tiranë, në Bruksel, në Athinë, por edhe në Uashington, për të kërkuar më të mirën për të nesërmen e Himarës.

Me këto fjalë kërkoj mbështetjen dhe votën tuaj”, shkruan ai


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë