Analize

Kandidatët në sitë, por ngritja e Kushtetueses mbetet ende larg

Mentor Kasa - Në historikun e listave emërore që kanë paraqitur interesin dhe kandidaturën për t’u bërë pjesë e Gjykatës Kushtetuese në Këshillin e Emërimeve në Drejtësi, , qysh prej janarit të 2017 janë mbi 40 emra të regjistruar.

Por, vettingu dhe mosplotësimi i kritereve të përcaktuara nga ligjet e reformës në drejtësi e ngushtuan këtë garë në mes të vetëm 6 personave, për dy prej të cilëve organet e konfirmimit në detyrë, pra ato të vettingut, nuk e kanë thënë ende fjalën e fundit.

Kandidatët e kualifikuar nga KED deri më tani janë Arta Vorpsi, Besnik Muçi, Elsa Toska, Fiona Papajorgji Marsida Xhaferrllari dhe Regleta Panajoti. Këshilli i Emërimeve në Drejtësi nisi këtë të mërkurë (7gusht) intervistimin e tyre. Intervistat do të zhvillohen individualisht dhe nga një çdo ditë. I pari që u thirr ishte Besnik Muçi. Në fund të këtij procesi, KED do të hartojë listën me renditjen e emrave sipas pikëzimit, ku kandidatët e vlerësuar më mirë do të jenë më lartë. Lista duhet të ketë minimumi tre emra, pasi Kushtetuta përcakton se Presidenti dhe Kuvendi duhet të zgjedhin një emër për një post vakant nga tre emrat e renditur të parët nga KED.

Por, problemi është se për Besnik Muçin dhe Marsida Xhaferrllarin organet e vettingut nuk e kanë thënë ende fjalën e fundit.

Muçi, aktualisht prokuror në Krimet e Rënda, u konfirmua nga Komisioni i Pavarur i Kualifikimit, por vendimi u apelua në Kolegjin e Posaçëm të Apelimit nga ana e Komisionerit Publik, që thotë se prokurori i Krimeve të Rënda nuk justifikon pasurinë. Çështja ndodhet në tavolinën e KPA që prej fundit të 2018, ndërkohë që në kalendarin e punimeve, Kolegji njofton se do të shqyrtojë ankimimin e Komisionerit Publik më 3 shtator.

Prokurori Besnik Muci duhet te mbroje ne KPA vendimin e KPK-se. Gazeta Si, 7 gusht 2019

Po ashtu, edhe Marsida Xhaferrllari i ka ende llogaritë e hapura me Kolegjin e Posaçëm të Apelimit. Ajo u bë precedent i një vendimi të ndërmjetëm të KPK. Shkalla e parë e vettingut vlerësoi se Xhaferrllari, për shkak të shkëputjes nga sistemi i drejtësisë dhe angazhimit në administratën shtetërore kishte humbur statusin e magjistratit. Për këtë arsye, KPK tha se e kishte të pamundur që të rivlerësonte figurën e saj sipas tre kritereve të përcaktuara nga vettingu. Vendimi i KPK-së u ankimua nga kandidatja për Gjykatën Kushtetuese në KPA. KPA ka regjistruar çështjen dhe në fund të majit hodhi shortin për trupën gjykuese, por në faqen e saj në internet mungon një datë se kur do ta shqyrtojë këtë ankimim.

Kjo do të thotë se efektivisht në garë mbeten vetëm 4 kandidatë. Vetë procesi kompleks i përzgjedhjes së kandidaturave e bën akoma më të vështirë dhe të paparashikueshme afatet kohore se kur Gjykata Kushtetuese, në mos e plotë do të jetë funksionale. E plotë kjo gjykatë duhet të ketë 9 anëtarë, tre të dalë nga Presidenti, tre nga Kuvendi dhe tre nga Gjykata e Lartë.

Ligji parashikon që për çdo vend vakant, Presidenti dhe Parlamenti duhet të zgjedhin një emër nga një listë minimalisht prej tre emrash që u vihet në dispozicion nga Këshilli i Emërimeve në Drejtësi. Nëse këto dy institucione refuzojnë që të zgjedhin një emër, atëherë emri i renditur i pari në listën e KED-së shpallet fitues, por jo pa u tejkaluar afati kohor prej 30 ditësh.

Pra, ligji parashikon mekanizma zhbllokues, por ai parashikon edhe afate kohore, ndaj klima politike aktuale dhe sidomos raportet mes Kuvendit dhe Presidencës na sugjerojnë se të paktën nga ana e Ilir Metës këto afate do të respektohen deri në limit.

Kjo është rruga që duhet të ndiqet për plotësimin e një vendi vakant, rrugë që duhet të përsëritet për çdo vend bosh të mbetur në Gjykatën e Kushtetuese, duke i shtuar edhe përcaktimin e pikës 2) të nenit 179 të dispozitave kalimtare të Kushtetutës. “Anëtari i parë për t’u zëvendësuar në Gjykatën Kushtetuese emërohet nga Presidenti i Republikës, i dyti zgjidhet nga Kuvendi dhe i treti emërohet nga Gjykata e Lartë. Kjo radhë ndiqet për të gjitha emërimet që do të bëhen pas hyrjes në fuqi të këtij ligji”, thuhet aty.

Mungesa e kandidaturave dhe cilësia e tyre do të thotë se do të lipset një koordinim mes Kuvendit dhe Presidencës për të përzgjedhur kandidatët më të përshtatshëm për anëtarë të Gjykatës Kushtetuese. A mund të ndodhë kjo me raportet aktuale mes dy institucioneve?

Panorama përkeqësohet nisur nga mungesa e Gjykatës së Lartë. Kësaj të fundit i takojnë tre emrat e mbetur për vakancat në Gjykatën Kushtetuese. Vetë kjo gjykatë kërkon të paktën edhe disa muaj kohë për t’u ngritur dhe plotësuar numrin e nevojshëm të anëtarëve që do të ligjëronin procesin e zgjedhjes së anëtarit për në Kushtetuese.

Si përfundim, gjasat që brenda vjeshtës Gjykata Kushtetuese të plotësojë kuorumin prej gjashtë anëtarësh për t’u mbledhur në seancë plenare janë thuajse zero. Megjithatë, plotësimi me pesë anëtarë i saj, që do t’i mundësonte vendimmarrjen proceduriale emergjente është i mundur.

Cilët janë kandidatët?

Besnik Muçi

Në vitin 2002 u emëruar prokuror në Prokurorinë e Tiranës. Nga 2007 deri në 2008 drejtoi krimin financiar në Policisë e Shtetit, për t’u katapultuar më pas në Prokurorinë për Krimet e Rënda. Në fund të 2017, ishte njëri prej emrave që shpalli kandidaturën për postin e Prokurorit të Përgjithshëm të Përkohshëm, por u skualifikua për mospërmbushje të kriterit të vjetërsisë në punë. Ai vetë tha se e kishin skualifikuar për “15 ditë”. KPK e konfirmoi me përmbushje minimale të kritereve të vettingut, por Komisioneri Publik e apeloi në KPA, që pritet të marrë vendimin përfundimtar në shtator.

Marsida Xhaferrllari

Nga 1999 deri në 2007 ka punuar si gjyqtare në Gjykatën e Fierit. Në 2007 u transferua si këshilltare e Ministrit të Drejtësisë në Tiranë, për të marrë një vit më vonë postin e Drejtores në Drejtorinë e Kodifikimit. Ajo u emërua kryeinspektore në Këshillin e Lartë të Drejtësisë në 2013 dhe qëndroi në këtë detyrë deri në transformimin e këtij institucioni në Këshillin e Lartë Gjyësor, sipas reformës në drejtësi. Shkëputja nga sistemi i drejtësisë u bë shkak që KPK të dilte me vendimin se Xhaferrllari kishte humbur statusin e magjistrates, duke mos marrë vendim për konfirmimin apo shkarkimin e saj. Vendimi u apelua prej Xhaferrllarit në KPA, ku pritet vendimi përfundimtar.

Arta Vorpsi

Arta Vorpsi e njeh institucionin e Gjykatës Kushtetuese falë punës si këshilltare ligjore prej më shumë se 10 vitesh në këtë gjykatë. Ajo është lektore e së drejtës kushtetuese dhe ekspertë në Shkollën e Magjistraturës. Ka marrë pjesë aktive në bashkëpunime me organizata dhe institucione të ndryshme në fushën e së drejtës, përfshirë këtu edhe Gjykatën e të Drejtave të Njeriut në Strasburg. Vorpsi kaloi pa probleme testin e vettingut.

Elsa Toska

Ashtu si Arta Vorpsi, Toska mban prej vitesh postin e këshilltares ligjore në Gjykatën Kushtetuese, ku punon prej 2007. Ajo ka përfunduar studimet në vitin 2000 në Fakultetin e Drejtësisë në Tiranë dhe zotëron doktoraturën në fushën e ligjit kushtetues. Gjatë kalimit në vetting, KPK nuk gjeti shkelje në asnjë prej tri kritereve të rivlerësimit.

Fiona Papajorgji

Punon prej më shumë se shtatë vite si këshilltare ligjore në Gjykatën Kushtetuese. Përveç kësaj, është lektore në disa universitete private në Shqipëri. Gradën “doktor” e ka mbrojtur në Itali. KPK doli në përfundimin se Papajorgji plotësonte pa probleme të trija kriteret e vettingut.

Regleta Panajoti

Gjyqtare në Gjykatën e Shkallës së Parë të Tiranës prej vitesh tashmë, Panajoti kaloi testin e vettingut, pavarësisht dyshimeve mbi burimin e të ardhurave të disa pronave të bashkëshortit të saj. Ajo është pjesë e sistemit të drejtësisë u bë që në vitin 2000.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë