Nga Gazeta Si- Në Shqipëri rezultojnë të prekur nga bakteri i padukshëm Helicobacter pylori, i njohur edhe si H. Pylori, mbi 60 % e popullatës, por pak prej tyre e dinë këtë pasi ky infeksion shpesh nuk shkakton simptoma.
Mjekët gastrologë japin alarmin se H. pylori është një nga shkaqet e prekjes nga kanceri i stomakut, sidomos tek moshat e reja.
Sipas mjekes së familjes Mirela Dhame, ky infeksion mund të sjellë pasoja të rënda për shëndetin tretës.
Sipas saj, H. pylori, një emër që mund të mos jetë i njohur për shumë qytetarë, fshihet në stomakun e mbi gjysmës së popullsisë shqiptare.
“Ky bakter mikroskopik, i cili transmetohet përmes ushqimit dhe ujit të kontaminuar, është kthyer në një shqetësim serioz për sistemin shëndetësor në vend, duke qenë një nga shkaqet kryesore të ulçerës në stomak dhe faktor risku për kancerin gastrik”.
2384 pacientë të diagnostikuar me tumor të stomakut në 2015-2023
Sipas të dhënave të ISHP, në vitet 2015-2023 janë në total 2384 raste me tumorin e stomakut. Kjo shifër ka ardhur gjithnjë e në rritje: 2019 (281 raste), 2021 (287 raste), 2022 (319 raste) dhe 2023 (331 raste).
Në programin kombëtar për parandalimin e tumoreve, për vitet 2022-2030, kanceri i stomakut lidhet me prezencën e H. pylorit dhe konsumimin e duhanit.
Ekspertët e shëndetit publik bëjnë apel për më shumë kujdes në dietën ushqimore dhe higjienën personale.
Një infeksion i zakonshëm, por shpesh i nënvlerësuar
Në vendet e zhvilluara, infeksioni me H. pylori është në rënie të ndjeshme. Ndërsa në Shqipëri, sipas mjekëve gastroenterologë, prevalenca mbetet e lartë, veçanërisht tek fëmijët dhe adoleshentët.
Të dhënat nga disa klinika gastroenterologjike në Tiranë tregojnë se mbi 60% e pacientëve që kryejnë ekzaminime për problemet e tretjes rezultojnë pozitivë për këtë bakter.
“Fëmijët në zonat rurale janë të ekspozuar që në moshë të hershme ndaj këtij infeksioni, për shkak të kushteve të dobëta higjieno-sanitare. Kjo e rrit rrezikun që infeksioni të mbetet për një kohë të gjatë i padiagnostikuar dhe të çojë në probleme kronike”, shprehet doktoreshë Mirela Dhamo, mjeke e familjes në qendrën shëndetësore nr.4 në Tiranë.
Simptomat që shpesh neglizhohen
Në shumicën e rasteve infeksioni kalon pa simptoma të dukshme, por ai mund të sjellë me kalimin e kohës probleme si dhimbje barku në pjesën e sipërme, fryrje pas ushqimit, nauze apo të vjella, jashtëqitje të errët (tregues i mundshëm i gjakderdhjes), humbje oreksi dhe peshe.
“Në mungesë të trajtimit, infeksioni kronik mund të çojë në gastrit, ulçera peptike, madje edhe në kancer të stomakut, sidomos tek ata që infektohen në moshë të re dhe nuk diagnostikohen për vite me radhë”, thotë mjekja Dhame.
Si diagnostikohet dhe trajtohet në Shqipëri
Testet më të përdorura në vend për diagnostikimin e H. pylori janë:
Testi i frymës (breath test) – i saktë dhe jo invaziv, por ende jo shumë i aksesueshëm në zonat rurale;
Testet në feçe – të përdorura gjerësisht në laboratorët publikë dhe privatë;
Gastroskopia me biopsi – më i saktë, por më invaziv dhe më i kushtueshëm.
Trajtimi i infeksionit bëhet zakonisht me një kombinim të tre medikamenteve: dy antibiotikë dhe një ilaç që ul aciditetin e stomakut. Por, problem mbetet rezistenca ndaj antibiotikëve, që po rritet edhe në Shqipëri për shkak të përdorimit të pakontrolluar të tyre pa recetë.
“Ka raste kur pacientët nuk reagojnë ndaj trajtimit të parë, dhe u duhet një regjim i dytë më i fortë. Është shumë e rëndësishme që mjekimi të merret i plotë, përndryshe bakteret mbeten aktive,” – theksojnë mjekët ekspertë të shëndetit publik.
Pse duhet të jemi më të kujdesshëm?
Përhapja e H. pylori lidhet drejtpërdrejt me higjienën e dobët. Në shumë zona, uji i rubinetit nuk është i sigurt për konsum dhe shpesh përdoret për larjen e ushqimeve apo për gatim.
Në të njëjtën kohë, mungesa e kontrolleve rutinë dhe vetëdiagnostikimi i gabuar nga qytetarët e bën problemin edhe më të madh.
Mjekët rekomandojnë që çdo person me simptoma të vazhdueshme të tretjes, apo histori të ulçerës në familje, të kryejë testet për H. pylori.
Edukimi dhe parandalimi, arma më e mirë
H. pylori është i trajtueshëm Por që të parandalohet dëmi afatgjatë, nevojitet ndërgjegjësim më i madh publik, kontrolle më të shpeshta dhe trajtim korrekt.
Edukimi mbi rëndësinë e ujit të sigurt, higjienës personale dhe ndalimit të përdorimit të antibiotikëve pa recetë është thelbësor, nëse duam të zvogëlojmë barrën që ky bakter po shkakton në shëndetin publik.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.