Gazeta Si – Kanadaja ka hequr tarifën e saj mbi shërbimet digjitale që synon firmat amerikane të teknologjisë, në një përpjekje për të avancuar negociatat tregtare të bllokuara me Shtetet e Bashkuara.
Kryeministri kanadez Mark Carney dhe presidenti i SHBA-së Donald Trump do të rifillojnë negociatat tregtare me qëllim që të bien dakord për një marrëveshje deri më 21 korrik, sipas ministrisë së financave e Kanadasë në një deklaratë.
“Njoftimi do të mbështesë rifillimin e negociatave drejt afatit kohor të 21 korrikut 2025, i përcaktuar në Samitin e Liderëve të G7 këtë muaj në Kananaskis”, tha Carney.
Tarifa kanadeze mbi firmat e teknologjisë ishte planifikuar të hynin në fuqi të hënën. Trump tha javën e kaluar se tarifa që synonte kompanitë amerikane të teknologjisë ishin “një sulm i drejtpërdrejtë dhe i hapur ndaj SHBA-së”. Disa prej kompanive që pritet të prekeshin ishin Apple, Alphabet/Google, Amazon dhe Meta.
Ky vendim nga Ottawa është një kthesë e papritur nga zyrtarët kanadezë në fillim të këtij muaji, të cilët thanë se nuk do ta pezullonin tarifën e shërbimeve dixhitale , pavarësisht kundërshtimit të fortë nga SHBA-ja.
Ministri kanadez i Financave dhe i të Ardhurave Kombëtare, Francois-Philippe Champagne, deklaroi se heqja e tarifës mbi shërbimet dixhitale do të lejojë që negociatat të krijojnë një marrëdhënie të re ekonomike dhe sigurie me Shtetet e Bashkuara dhe të përforcojnë punën për të krijuar vende pune dhe për të ndërtuar prosperitet për të gjithë kanadezët.
Tarifa 3% mbi shërbimet digjitale e miratuar nga Kanadaja vitin e kaluar është bërë pikë përplasjeje me Uashingtonin. Sipas grupeve të biznesit, kjo tarifë pritet t’u kushtonte kompanive amerikane mbi 2 miliardë dollarë në vit.
SHBA-të mbeten partneri më i madh tregtar i Kanadasë, me mbi 400 miliardë dollarë mallra të shkëmbyer vitin e kaluar. Gjithsesi, këtë vit Trump vendosi një tarifë 25% ndaj disa mallrave kanadeze, duke përmendur shqetësime për trafikun e drograve të paligjshme.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.