Ka ndodhur

Kanabisi në magazinën e Kadastrës në Selitë, në pranga edhe një 36-vjeçar

Gazeta Si- Një 36-vjeçar është ndaluar në Tiranë, pasi dyshohet se është i përfshirë në veprimtarinë kriminale të kultivimit të bimëve narkotike, në Selitë në një ish-magazinë shtetërore.

Policia thotë se në pranga ka rënë Klestjan Hala, banues në Tiranë, i akuzuar për veprën penale “Kultivimi i bimëve narkotike”, kryer në bashkëpunim.

Më parë, gjatë zhvillimit të këtij operacioni, janë arrestuar 7 shtetas, 3 prej tyre punonjës të OSHEE-së dhe janë sekuestruar 193 bimë kanabisi të kultivuara në vazo, 100 bimë të thara të futura nëpër thasë dhe sende që shërbejnë për kultivim të bimëve narkotike, me anë të llambave.

Policia e Tiranës deklaroi se kati i dytë i objektit shtetëror është privatizuar nga 3 persona, ndërsa kati i parë është në përdorim të Agjencisë Shtetërore të Kadastrës. Pikërisht në katin e dytë u gjetën të kultivuara në vazo plastike 105 bimë të dyshuara kanabis sattiva.

Ambienti në të cilin rriteshin fidanët e kanabisit u zbulua nga një zyrtar i Agjencisë Shtetërore të Kadastrës, i cili fillimisht kishte shkuar në katin e parë ku ndodhet magazina e institucionit. Ndërsa më vonë ka konstatuar katin e dytë me bimë narkotike ka lajmëruar ministrin e Brendshëm Ervin Hoxha dhe ky i fundit ka lajmëruar policinë.

Sipas burimeve të policisë personat të cilët merreshin me kultivimin e kanabisit, përdornin hyrjen që ishte nga pas godinës për të mos rënë në sy. Në hetime është përfshirë dhe Agjencia e Mbikëqyrjes Policore për të evidentuar nëse ka patur punonjës policie të cilët kanë qenë në dijeni të aktivitetit kriminal.

“Në vijim të veprimeve hetimore të kryera në kuadër të këtij operacioni, u identifikua dhe ndalua shtetasi K. H., 36 vjeç, banues në Tiranë, për veprën penale “Kultivimi i bimëve narkotike”, kryer në bashkëpunim, parashikuar nga neni 284/25 i Kodit Penal”, - thuhet në njoftimin e policisë.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë