Nga Gazeta Si – Dy të rinj janë arrestuar në Durrës, pasi janë kapur duke tërhequr nga Dega Postare Durrës, një pako me lëndë të dyshuar narkotike kanabis, në formë çokollate, e ardhur nga Belgjika.
Dy të arrestuarit janë Endi Hoxha dhe Elimon Hasa, 22 dhe 28 vjeç përkatësisht , të dy banues në Durrës.
Policia thotë se ka sekuestruar në cilësinë e provës materiale, së bashku me një automjet tip “Hyundai” dhe 2 aparate celulare.
Sipas policisë, nga veprimet hetimore rezulton se shtetasit e arrestuar, në bashkëpunim me shtetas të tjerë, kanë trafikuar nëpërmjet postës, pakon me kanabis, nga Belgjika në drejtim të Shqipërisë.
Ndërkohë, vijon puna nga Njësia për Hetimin e Narkotikëve dhe Trafiqeve të Paligjshme në Drejtorinë Hetimore për dokumentimin e plotë ligjor të kësaj veprimtarie kriminale, si dhe për identifikimin e personave të tjerë të implikuar në të.
Materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Tiranë, për veprime të mëtejshme.
Ky është operacioni i tretë policor i finalizuar brenda 3 muajve të fundit, për goditjen e veprimtarisë kriminale të trafikimit të lëndëve narkotike nëpërmjet postës, nga shtete të ndryshme.
“Green mail” u finalizua më 30 qershor 2022 dhe rezultoi me sekuestrimin e rreth 1.3 kilogramëve kanabis, të sjella nga Mbretëria e Bashkuar dhe vënien në pranga të 2 shtetasve, ndërsa “Green mail 2”, u finalizua më 18 gusht të po këtij viti dhe si rezultat i tij u sekuestruan 2 pako me kanabis, të sjella gjithashtu nga Mbretëria e Bashkuar, si dhe u vunë në pranga 2 shtetas të tjerë.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




