Gazeta Si – Maks Vershtapen i ka idetë të qarta në lidhje me të ardhmen, në Formula 1 dhe jo vetëm. “Të udhëtosh shumë nuk është e shëndetshme, – ka thënë piloti i Red Bull-it për të përditshmen holandeze ‘De Limburger’. – Më pëlqen shumë tani, por duhet të heqësh dorë nga shumë gjëra. E kam thënë gjithmonë se kjo është arsyeja kryesore pse nuk dua të garoj deri 40 vjeç”.
Kampioni i dyfishtë i botës nuk ka në plan të ecë në gjurmët e disa kolegëve të tij, si Fernando Alonso, që e nis sezonin 2023 në moshën 41-vjeçare. Kimi Raikonen po ashtu është tërhequr nga Formula 1 në moshën 42 vjeç.

“Duket absurde, sepse garimi në Formula 1 është një ëndërr për shumë njerëz, është vërtet. Por je shumë larg nga shtëpia dhe përsonat që do. Vjen një moment që nuk mundesh më. Dua të kem fëmijë dhe nëse ata duan të garojnë, nuk ka asnjë problem. Megjithatë, do t’u jepja atyre një edukatë ndryshe nga ajo që kanë bërë me mua babai dhe nëna.
Ata kanë bërë gjithçka që të më shtynin të garoja. Unë do t’i lë fëmijët e mi të vendosin vetë, duhet ta ndjejnë ata. Nëse do të jetë kështu, për mua është e rëndësishme të qëndroj me ta kur të fillojnë të hedhin bazat. Ndoshta është e lehtë të flas tani që nuk kam fëmijë, mbase do të arsyetoj ndryshe kur të vijë momenti në të ardhmen”, – është shprehur më tej Vershtapen.
Në fund edhe një reflektim për sezonin që lamë pas: “Fitorja në Spa ishte më e bukura. Ishte vërtet fantastike se si shkoi çdo gjë mirë për ne në atë garë. Festa e munguar? Nuk duhet menduar si u bëre kampion bote, ajo që ka rëndësi është që je kampion. Mënyra nuk ka rëndësi. Unë dhe babai im kemi thënë gjithmonë: nuk ka rëndësi si fiton, mjafton që fiton”.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




