Motosport

Kampioni Vershtapen krijon skuadrën e tij, do garojë në ‘rally’ dhe në ‘eSports’

Gazeta Si – Deri tani, 2022-shi i Maks Vershtapen nuk ka shkuar në mënyrën më të mirë. Konfirmimi i titullit kalon nëpërmjet sfidës me Leklerk, i cili ka 46 pikë avantazh pas 3 garave të para.

Megjithatë, pas garës së Australisë holandezi ka një arsye për të buzëqeshur: ka lindur skuadra e tij, ‘Verstappen.com Racing’. Një skuadër e krijuar për të marrë pjesë si në garat reale, ashtu edhe në ato virtuale, që janë një tjetër pasion i kampionit të Red Bull-it.

Pilotët e përfshirë në këtë projekt bëjnë pjesë në botën e Vershtapenit. Për garat në rrugë do të jetë babai i tij Jos që do të kërkojë rezultate. Ish-shok skuadre me Mikael Shumakerin te Benetoni, Jos do të marrë pjesë në garat e kampionatit belg ‘rally’, duke mbrojtur ngjyrat e skuadrës së krijuar nga i biri.

Thierry Vermeulen, djali i menaxherit të Maksit, do të jetë njeriu kyç i skuadrës në kampionatin Adac GT Masters. Te ‘eSports’ ndërkohë Vershtapen do të përfaqëoshet nga Team Redline, skuadra fituese e Le Mans virtuale 2022. Me këtë skuadër kampioni i botës në F.1 ka marrë pjesë në disa gara virtuale.

Për Vershtapenin kjo është diçka shumë e rëndësishme: “Garat kanbë qenë gjithmonë pasioni im më i madh dhe jam vërtet i lumtur ta ndaj këtë dashuri nëpërmjet skuadrës ‘Verstappen.com Racing’, e formuar nga pilotë dhe skuadra, me të cilat jam shumë i lidhur. Përveç argëtimit, mund të ndaj me ta edhe njohuritë e mia për garat, duke shpresuar t’i ndihmoj”.

Projekti është realizuar në bashkëpunim me Red Bull-in, kolosin që ka besuar shumë te holandezi prej shumë vitesh. “Bashkëpunimi i ngushtë me Red Bull-in reflektohet në mbështetjen ndaj ‘Verstappen.com Racing’ për vitet e ardhshme. Kjo më bën shumë krenar”, – ka thënë Vershtapen.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë