Gazeta Si – Kur të thonë Maks Vershtapen, mendon menjëherë për dikë që mund t’ia lejojë vetes gjithçka në jetë. Mjafton të dojë diçka dhe do ta ketë. Janë benefitet e pasurisë së tij, që vlerësohet në rreth 120 milionë euro. Imagjinoni sikur dëshira të lidhet me botën e automobilizmit… Por për të marrë me qera dhe drejtuar një Mercedes AMD GT (300 km/h) ka qenë e pamundur.
Vershtapen e provoi këtë aventurë të pakëndshme një javë më parë, në Algarve të Portugalisë, ku kishte shkuar me tre avionë private, bashkë me familjen dhe miqtë. Holandezi kërkoi modelin e përmendur më sipër, por stafi i kompanisë që jepte makinat me qera i shpjegoi se për atë makinë duhej që personi të ishte mbi 30 vjeç.

Kampioni në fuqi i Formula 1, që garën e parë e ka fituar në moshën 18-vjeçare, sipas tabloidit anglez ‘Sun’, ka mbetur i tronditur nga ai komunikim. Ai ka marrë një BMW 5, me shpejtësi maksimale 250 km/h.
Një zëdhënës i kompanisë së makinave me qera ‘Sixt’ ka kërkuar ndjesë publikisht: “Natyrisht, nuk ka asnjë dyshim në lidhje me aftësitë e drejtimit të Vershtapen dhe për eksperiencën e tij me makinat e fuqishme, por punonjësi ynë respektoi rregullat në lidhje me kontratat e sigurimeve. Vershtapenit i është dhënë një tjetër makinë premium”.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.