Politike

Kampion e Kurban, dy fjalët e Ramës në gojën e Tahirit

Mentor Kasa - “Mos u mundoni të gjeni tek unë mesazhe të koduara. Këtij vendi të vogël i mjafton çanta e baba Takut”. Me këto fjalë të shprehura më 28 shkurt, ish-ministri i Brendshëm Saimir Tahiri me një gur vriste dy zogj. Së pari, u kërkonte gazetarëve që të mos përpiqeshin të deshifronin ndonjë mesazh të fshehtë në fjalët e tij pas njohjes me akuzat e ngritura nga Prokuroria për Krimet e Rënda dhe së dyti, deklaronte se nuk zotëronte asnjë material me të cilin shantazhonte politikanë.

Por, nëse atëherë në fjalët e tij nuk pati asnjë mesazh të koduar, në përfundim të seancës së parë, ku kërkoi gjykim të shkurtuar, por duke mos e njohur fajësinë, ish-ministri i Brendshëm, përdori terma që më herët janë shqiptuar nga Kryeministri Edi Rama.

Tahiri tha se vijonte të mbetej “ministri kampion” i qeverisë “Rama 1” për atë që kishte bërë në Policinë e Shtetit. Fjala “kampion” është përdorur për herë të parë nga vetë Edi Rama dy vite më parë dhe jo në ndonjë ceremoni mirënjohjeje për Saimir Tahirin, por në konferencën për shtyp ku njoftonte shkarkimin e tij, që vetë Rama refuzonte ta quante shkarkim, duke këmbëngulur se bëhej fjalë për një largim.

Rama nuk e lidhte largimin e Tahirit me akuzat e opozitës në atë kohë dhe as me përgjimet e Prokurorisë së Katanias në Itali, por me nevojën për t’i dhënë më shumë kohë si koordinator i Tiranës për të drejtuar strukturat e Partisë Socialiste për zgjedhjet qendrore të qershorit.

Pak javë më vonë, Saimir Tahiri do t’i kthente ‘kusurin’ dhe Ramën do ta cilësonte Kryeministër “kampion” në një takim me strukturat e partisë në Tiranë, të cilat i drejtonte ende. Me dy vite distancë, fjala “kampion” rikthehet në fjalorin e Saimir Tahirit, por këtë herë në rrethana krejt të tjera dhe nga dera kryesore e Prokurorisë për Krimet e Rënda.

Nga kjo derë, një tjetër fjalë që përdori ish-ministri i Brendshëm ishte edhe “kurban”. “Nuk është e kollajtë që të bëhem unë kurban”, deklaroi ai. "Kurbani" u fut dendur në fjalorin e politikës shqiptare pas zgjedhjeve vendore të 2011, kur Edi Rama humbi përballë Lulzim Bashës në garën për Tiranën në një proces numërimi të kontestuar. Ai publikonte pak kohë më vonë librin me titullin “Kurban”, një botim me reflektime ku nënkuptohej sesi po sakrifikohej e ardhmja e vendit për hir të interesave të ngushta të pushtetarëve.

Kopertina e “Kurbanit” u mor nga ish-Kryeministri Sali Berisha në 2017, kur Saimir Tahiri largohej nga posti i ministrit të Brendshëm. Berisha e modifikoi atë sipas idesë së tij, duke i vendosur në faqe të parë imazhin e Saimir Tahirit, që për të ishte kurbani i Edi Ramës.

Kopertina e librit "Kurban" modifikuar nga Sali Berisha në 2017

Partia Demokratike në atë kohë protestonte në çadër. Ndryshimet në Qeveri i shfrytëzoi për të ashpërsuar e dendësuar akuzat ndaj Saimir Tahirit. Ky i fundit u përgjigjej akuzave të PD-së.

“E shkuara është futur në çadër dhe po thërret Shqipërinë për t’u futur në çadër. Llumi i çadrës nuk e zbeh besimin e qytetarëve te qeveria dhe Partia Socialiste. Ata duan të mbrojnë gjyqtaret dhe prokurorët e korruptuar. Ata do të marrin faturën më shembullore. E shkuara nuk do të kthehet pas. Krimi i tyre nuk do prishë paqen mes nesh. Shqipëria kurrë nuk do të kthehet pas. Ne jemi skuadër fituese në të gjithë Shqipërinë. Kemi kampion të skuadrës Edi Ramën. Jepni dorën njëri-tjetrit dhe të gjithë bashkë të ngremë Tiranën dhe të ndërtojmë Shqipërinë që duam”, deklaronte ai më 16 mars në një aktivitet të PS-së në kryeqytet.

Sa më shumë kalonte koha, aq më të forta e konkrete bëheshin akuzat ndaj Saimir Tahirit. Në Kuvend u zhvillua një betejë mes opozitës e mazhorancës për heqjen e imunitetit dhe arrestimin e tij, por në fund, me forcën e kartonëve socialistët nuk autorizuan arrestimin, por vetëm hetimin e tij.

Opozita deklaronte se Edi Rama po mbronte Saimir Tahirin për të mbrojtur veten e tij. Tahiri u largua nga strukturat e partisë dhe po ashtu u dorëhoq nga mandati i deputetit. Rastësisht, ulësen e tij në Kuvend e zuri Spartak Braho, çantës së zezë të të cilit, Saimir Tahiri iu referua më 28 shkurt për të mohuar zërat se zotëronte materiale kompromentuese për politikanë.

E fundit që Saimir Tahiri paralajmëroi ishte “fjala”. Ai tha se do të vijë koha që do të flasë, por pa sqaruar më shumë se kur e sidomos çfarë do të thotë. Për të mësuar të gjithë të vërtetën, sipas tij, të farsës së drejtësisë, Tahiri kërkoi që seancat gjyqësore ndaj tij të jenë të hapura për publikun, një praktikë e pazakontë në procese të tilla e që vështirë se do të pranohet nga gjykata.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë