Lexo me "Si"

Kampi i parë i të burgosurve të luftës në Britani, do të ruhet si pasuri kombëtare

Nga Gazeta “SI”– Luftërat Revolucionare Franceze dhe ato Napoleonike sollën mijëra të burgosur armiq në Mbretërinë e Bashkuar. Aq shumë sa që Admiraliteti, i ngarkuar me mirëqenien e tyre, u detyrua të gjente zgjidhje të shpejta për të përballuar rritjen marramendëse të numrit të tyre.

Një prej këtyre zgjidhjeve ishte ndërtimi i kampit të parë të posaçëm për të burgosur lufte, i vendosur përgjatë rrugës së madhe veriore në Cambridgeshire  larg detit, në mënyrë që të burgosurit të mos kishin mundësi të arratiseshin lehtësisht drejt Francës.

I ndërtuar brenda katër muajsh nga 500 marangozë dhe punëtorë, kampi i pozicionuar në jugperëndim të qytetit Peterborough, pranë fshatit Yaxley  strehoi deri në 7,000 të burgosur, kryesisht ushtarë dhe marinarë francezë të rangut të ulët, përfshirë edhe disa piratë , gjatë periudhës midis viteve 1797 dhe 1814.

Tani, vendndodhja historike e kampit në Norman Cross, që përmban mbetjet e kësaj qendre burgimi, është shpëtuar për trashëgiminë kombëtare falë blerjes nga organizata Nene Park Trust, me një grant prej 200,000 paundësh nga Historic England dhe 50,000 paund të tjerë nga The National Lottery Heritage Fund.

Norman Cross u bë modeli për zhvillimin e mëtejshëm të burgjeve ushtarake.

Duke funksionuar si një qytet i mëvetësishëm , me kapanone, zyra, spital, shkollë, treg dhe madje edhe sistem bankar  pjesa e burgut zinte një sipërfaqe prej rreth 250 me 270 metra dhe ishte e ndarë në katër oborre kryesore.

Secili oborr kishte katër blloqe druri me dy kate për akomodimin e të burgosurve, si dhe tualete, një hapësirë për ushtrime fizike, dy godina për rojet, një depo dhe një kuzhinë. Po ashtu, ekzistonte edhe një spital i brendshëm për të burgosurit.

Në atë kohë, betejat zhvilloheshin në Europë, Karaibe, Afrikën e Veriut dhe Oqeanin Indian. Rreth 200,000 ushtarë dhe marinarë , shumica francezë, por edhe holandezë dhe nga kombësi të tjera u kapën dhe u sollën në Britani.

Për kujdesin ndaj tyre ishte përgjegjëse Bordi i Transportit i Admiralitetit, dhe ata mbaheshin në një rrjet burgjesh, anijesh-burgje, qendra pritjeje dhe burgje tokësore. Norman Cross ishte i pari nga tre depot e posaçme tokësore, përkrah atyre në Dartmoor dhe Perth.

Të burgosurve u lejohej të prodhonin sende për t’i shitur në tregjet e rregullta. Objekte si lodra, anije në miniaturë apo sete dominoje të gdhendura në dru ose kocka kafshësh. Shumë prej këtyre objekteve u zbuluan gjatë një vizite të ekipit të emisionit televiziv Time Team në korrik 2009.

Të fundit të burgosur u larguan në vitin 1814 dhe kampi u çmontua dy vjet më vonë. Një memorial për 1,770 të burgosur që humbën jetën atje  kryesisht si pasojë e sëmundjeve, përfshirë tifon  u ngrit në vitin 1914.

Aktualisht, vendi nuk është i hapur për publikun, por janë në plan projektet për ta bërë të vizitueshëm, duke garantuar që toka të kultivohet në mënyrë të kujdesshme për të ruajtur mbetjet arkeologjike që ndodhen nën të.

Ministrja e trashëgimisë, Baronesha Twycross, deklaroi: “Historitë e jashtëzakonshme të atyre që u mbajtën në kampin e parë të posaçëm për të burgosur lufte duhen kujtuar sot dhe në të ardhmen.”

Burimi: The Guardian


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë