Ngjarje

Kampet e emigrantëve në Shqipëri, Gjykata e Lartë në Itali i jep të drejtë Melonit

Gazeta Si – “Nuk ka simetri të përsosur” midis “përjashtimeve personale” dhe “përjashtimeve territoriale”. Gjykata e Lartë në Itali, duke iu rikthyer çështjes së riatdhesimeve të përshpejtuara të emigrantëve të parregullt në vendet e origjinës të përfshira në listën e vendeve të sigurta, të cilat përfshijnë edhe Shqipërinë, i ka dhënë të drejtë qeverisë së Giorgia Melonit.

Në 4 tetorin e kaluar, Gjykata e Drejtësisë së BE-së vendosi se një vend nuk mund të konsiderohet i sigurt nëse një pjesë e territorit të tij nuk është i sigurt (siç është Transnistria në Moldavi).

Gjykata e Romës dhe seksionet e tjera të specializuara e kanë marrë si të mirëqenë se kjo vlen edhe kur ka kategori njerëzish të pambrojtur. Por sipas Gjykatës së Lartë italiane nuk është kështu.

Në vendimin e fundit, thuhet: “Nuk duket e mundur” që gjyqtari të zbatojë “vendimin e Gjykatës së Drejtësisë automatikisht dhe gjerësisht për vendet e përcaktuara si të sigurta, me përjashtim të kategorive të njerëzve”.

Megjithatë, është e mundur të “caktohet një vend i tretë si një vend i sigurt i origjinës” edhe në prani të “përjashtimeve subjektive”.

Për kryeministren Giorgia Meloni dhe kabinetin e saj, është një fitore e rëndësishme sa i përket çështjes së emigrantëve, që lidhen në fakt edhe me kampet e ndërtuara në Shqipëri, në Gjadër dhe Shëngjin.

Ky është një konfirmim i vendimit të marrë më 19 dhjetor 2024, i cili sqaroi rolin e gjyqtarit të zakonshëm në lidhje me përcaktimin e vendeve të sigurta të origjinës, duke nënvizuar kufirin e kompetencave të tij.

Meloni, pak ditë më parë deklaroi me vendosmëri se në janar do të rifillojnë operacionet me azilkërkuesit drejt Shëngjinit dhe Gjadrit, duke theksuar se modeli Italo-shqiptar do të funksionojë.

Në pritje të sqarimeve të mëtejshme nga Gjykata e drejtësisë në BE-, tani gjyqtarëve italianë u kërkohet të balancojnë vendimet dhe të respektojnë rregullat kombëtare me parimet evropiane, duke shmangur interpretimet që mund të bien ndesh me direktivat ndërkombëtare.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë