Treg

Kamionët me bimë medicinale shqiptare kthehen mbrapsht nga BE – Ministria e Bujqësisë fle gjumë

Nga Gazeta ‘Si’ – Industria e bimëve medicinale e ka gjetur veten prej disa kohësh në vështirësi.

Përgjatë gjithë këtij viti, rreth 50 kamionë me bimë medicinale janë kthyer mbrapsht nga vendet e BE-së për shkak të pamundësisë për të kryer analizat me kriteret e vendosura atje.

Filip Gjoka, kryetari i Shoqatës së Bimëve Medicinale, thotë me shqetësim për Gazetasi.al se po përballen jo vetëm me shpenzime shumë të larta por edhe me një avari të vazhdueshme.

“Kamionët tanë kanë ikur jashtë shtetit te kompanitë blerëse dhe pasi i kanë testuar mallrat që kanë qenë në kamionë, i kanë kthyer mbrapsht.

Duke qenë se një pjesë e konsiderueshme e fuqisë punëtore ka ikur në emigrim dhe zonat malore janë shpopulluar, bimët medicinale që ne eksportojmë përzihen me bimë të egra. Për shkak të mungesës së këtyre punëtorëve që dikur i pastronin bimët me dorë, tani detyrohemi që këto bimë t’i eksportojmë të papërpunuara, gjë që dëmton edhe lëndën tonë të parë”, vijon ai mandej për Gazetasi.al.

Filip Gjoka shprehet se rreth 50 kamionë janë kthyer mbrapsht

Gjoka shton se bimët e huaja kanë rezultuar më të larta se norma që ka vendosur Bashkimi Europian dhe për pasojë, kamionët janë kthyer mbrapsht.

“Këto kritere kanë vite që janë vendosur dhe janë shumë strikte por ndonjëherë edhe atje ligjet votohen pa e parë se çfarë kanë përpara në tryezë”, thekson Gjoka për Gazetasi.al duke argumentuar se këto bimë janë konsumuar prej shekujsh, në çajra, lëngje të ndryshme dhe në gatime.

Kthimi mbrapsht i kamioneve po paguhet me kosto jo të vogla.

“Vetëm rruga e vajtjes e një kamioni drejt Hamburgut kushton rreth 3 mijë euro. Po e njëjta kosto është edhe për kthimin mbrapsht në Shqipëri. Dhe kjo vetëm për një kamion, imagjinoni për rreth 50 të tillë”, thekson ai mandej duke shtuar se sektori i bimëve medicinale dhe erëzave në Shqipëri ka nevojë ende për rritjen e kapaciteteve përpunuese.

Gra duke mbledhur bimë medicinale në Shqipëri

Shoqata kërkon që të ngrihen laboratorë të akredituar në Shqipëri në mënyrë që kompanitë të kenë mundësi të kryejnë analizat përpara se t’i dërgojnë për t’i eskportuar.

Aktualisht në vendin tonë funksionon vetëm një laborator privat i akredituar për kryerjen e analizave specifike për bimët medicinale që eksportohen jashtë ndërsa kostot për kryerjen e tyre jashtë vendit janë shumë të larta.

“Vetëm nëse dërgojmë një mostër duhet të paguajmë rreth 50 euro ndërsa kryerja në total e analizës kushton nga minimalja që është rreth 120 euro deri në 500. Prandaj kërkojmë me ngulm ngritjen e këtyre laboratorëve në Shqipëri.

Është e domosdoshme që shteti të ndërhyjë me ngritjen e këtyre laboratorëve pranë institucioneve shtetërore me qëllim reduktimin e kostos së kompanive dhe ku analizat të kryhen me standardet e reja europiane”, thotë Gjoka për Gazetasi.al duke shtuar se Shqipëria në fakt ka shumë kapacitet për prodhimin e këtyre bimëve.

“Totali i eksporteve për këtë vit që po lëmë pas është deri në 62 milionë dollarë, por nëse do të kishim patur më tepër investime, vlera e tyre do të rritej deri në 40% më shumë. Bimët kryesisht eksportohen në Turqi, Europë, SHBA deri në Australi. Vendin kryesor në Europë e mba Gjermania.

Ne jemi të pranishëm në tregun botëror, falë dhe vendit tonë të bekuar, pozicionit gjeografik, ku bimët rriten në mënyrë të shkëlqyer.

Sot kemi arritur të krijojmë rreth 31 kompani të cilët janë në tregun e bimëve dhe erëzave, duke krijuar një punësim sezonal dhe stabël për rreth 90 mijë të punësuar të cilët marrin pjesë në këtë treg.

Realisht Shqipëria numëron rreth 330 lloje specie të ndryshme që janë të mundshme për eksport dhe që kanë gamë të prodhimit dhe përdorimit në industri dhe në farmaceutikë, ndërsa ne eksportojmë vetëm rreth 186 artikuj”, thotë Gjoka.

Por sipas tij, vetëm 25% e këtyre bimëve eksportohen si produkt final ndërsa pjesa e mbetur, rreth 75% eksportohet si lëndë e parë, për shkak se në Shqipëri mungojnë kapacitetet përpunuese.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë